​“Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën më shumë sesa Skënderbeu”

“Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën më shumë sesa Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Ai ishte model i atdhetarizmit, dashurisë, urtësisë dhe mendjehollësisë. Gjergji është i gjithë Evropës dhe njerëzimit sepse nuk luftoi vetëm për lirinë e shqiptarëve për lirinë e të gjithë popujve të Ballkanit dhe Evropës”.

Kështu u tha në organizmin e mbajtur në nder të ditëlindjes së 619 të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me ç‘rast u vlerësua lartë figura e tij dhe misioni për lirinë e trojeve shqiptare.

Në një fjalë rasti, kryetari i Organizatës “Shqiptaria”, Nijazi Gashi tha se Skënderbeu është i gjithë njerëzimit sepse ai nuk luftoi vetëm për lirinë e shqiptarëve por të gjithë popujve të Ballkanit dhe Evropës.

Përmes këtij organizimi, Gashi iu drejtua qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë me kërkesën që ditëlindja e Skënderbeut të futet në kalendarin e festave kombëtare shqiptare.

“Në këtë datë Zoti na dërgoi Gjergj Kastriotin me mision hyjnor dhe në detyra konkrete. Në një të bashkonte princat shqiptarë bashkë me trojet e tyre në një shtet të vetëm që do të quhej Shqipëri dhe do t’iu tregonte se vetëm të bashkuar dorëpërdore mund të mbijetojmë në këtë cep të botës së trazuar dhe të lakmuar nga të gjithë popujt që na rrethonin. Dy, të bashkonte fiset që kishin emra të ndryshëm duke pagëzuar të gjithë pa dallim me emrin shqiptar. Tre, të bashkonte të gjitha flamujt në një flamur dhe ai është dhe do të jetë flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare…Gjergji është i gjithë Evropës dhe njerëzimit sepse nuk luftoi vetëm për lirinë e shqiptarëve për lirinë e të gjithë popujve të Ballkanit dhe Evropës…I ftojmë disa popuj të mëdhenj dhe të fuqishëm të botës të heqin dorë nga imponimi me dhunë i vullnetit dhe ambicieve të tyre të sëmura për pushtimin e popujve me të dobët dhe më të vegjël…Nga ky tubim madhështor t’iu drejtohemi të dy qeverive tona me kërkesën që kjo festë të futet në kalanderin e festave kombëtare shqiptare”, tha Gashi.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shoqatës “Kufijtë e Arbërit”, Raif Gashi tha se epoka e Skënderbeut në shekullin e 15-të dhe vetë figura e tij ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritje të vetëdijes kombëtare të tyre.

Po ashtu, edhe Gashi kërkoi nga të dy qeveritë që të nxirret ligji për mbrojtjen e vlerave kombëtare.

“Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën më shumë sesa Gjergj Kastriotit Skënderbeu, edhe atë në formë të përmendoreve, statujave, muraleve, e pikturave të ndryshme anë e kënd botës…Emrin e tij e ka çdo gjuhë në botë. Lirisht mund të themi se epoka e Skënderbeut në shekullin e 15-të dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritje të vetëdijes kombëtare të tyre. Ishte model i atdhetarizmit, dashurisë, urtësisë dhe mendjehollësisë…Sa më parë kërkojmë nga qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë dhe kudo që të nxirret ligji për mbrojtjen e vlerave kombëtare, emri i Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, UÇK-së dhe gjitha figurave kombëtare e posaçërisht flamurit kombëtar i cili përdhoset çdo ditë dhe nuk mbrohet me ligj ”, tha Gashi.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku tha se si rezultat i përpjekjeve që prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail Qemajlit dhe Adem Jasharit e luftës çlirimtare, është ndërtuar shteti i Kosovës, i cili është vetëm një pjesë e amanetit që e kishin mijëra e mijëra dëshmorë të kombit shqiptar.

“Populli shqiptar vazhdimisht gjatë historisë ka bërë përpjekje por edhe luftëra kundër pushtuesve për ta ruajtur qenien kombëtare dhe atdheun e tij. Që në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail Qemailit e Isa Boletinit, rilindësve por edhe në kohën e Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithmonë sukseset e luftërave çlirimtare kanë qenë për shkak se janë bashkuar të gjithë luftëtarët për të luftuar kundër pushtuesve. Si rezultat i gjithë këtyre përpjekjeve që prej Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismial Qemajlit e Adem Jasharit ne kemi, edhe si rezultat i luftës çlirimtare, e kemi edhe Kosovën shtet e cila është vetëm një pjesë e amanetit që e kishin mijëra e mijëra dëshmorë të kombit shqiptar për një Shqipëri të bashkuar”, theksoi Klinaku.

Edhe Dibran Gashi nga Lëvizja e Deçanit propozoi qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që kjo datë të bëhet festë zyrtare kombëtare që nga viti i ardhshëm.

“Në emër të Lëvizjes së Deçanit urime dhe gëzuar ditëlindja e kryezotit tonë Gjergj Kastriotit. Profetit të shqiptarisë, atletit mbrojtës të civilizimit evropian e festofshin çdo mot e jetë mbarë kombëtarisht. U propozojmë të dy kuvendeve të Shqipërisë dhe të Kosovës që nga viti i ardhshëm kjo datë të bëhet festë zyrtare kombëtare”, tha Gashi.

Ditëlindja e heroit po shënohet në Prishtinë me shumë aktivitete, ku edhe po kërkohet që kjo ditë të hyjë në ditët e festave kombëtare.

Back to top button