Lojërat Mesdhetare do të sillnin revolucion në infrastrukturën sportive të Kosovës

Viti 2030 mund të jetë vit historik për Kosovën në aspektin sportiv pasi mund të organizohen Lojërat Mesdhetare, multisportive dhe për organizimin e kësaj ngjarje madhore Kosova ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj.

Sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti thotë se ideja për të aplikuar për organizimin e kësaj ngarje lindi para më shumë se një viti, por u desh që gjithçka të mbahet në heshtje për të shmangur kundërshtimet eventuale që mund të dilnin nga shtetet e ndryshme.

Në një intervistë Aliti shprehet i bindur se Kosova është kandidat shhumë serioz dhe mund ta fitojë të drejtën e organzimit duke pasur edhe mbështetjen e madhe të institucioneve shtetërore.

“Natyrisht se Komiteti Olimpik nuk mund ta organizojë vetë këtë ngjarje, kjo duhet të jetë një përkushtim i të gjitha instancave, të gjithë akterëve në sport, të gjithë akterëve politikë dhe duhet të marrim si një moment historik për Kosovën ku duhet të mendojmë strategjikisht dhe është interes shtetëror që këto lojëra të organizohen në Kosovë…Mendoj që jemi shumë serioz si kandidat, mendoj që i kemi gjasat shumë reale për t’i fituar Lojërat Mesdhetare. Ashtu siç edhe e ka publikuar Komiteti i Lojërave Mesdhetare, ne faktikisht konkurojmë që t’i fitojmë lojërat me aklamacion, sepse ka pasur kandidat më herët…por me lobimin dhe punën që kemi bërë, me memorandumet e nëshkruara me komitetet e ndryshme olimpike dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ne kemi arritur që disa kandidatë të tërhiqen nga kandidatura dhe t’i mundësojnë Kosovës që për herë të parë në histori të jetë nikoqir i kësaj ngjarje”, thotë Aliti.

Duke ditur se në këto lojëra marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente, një sfidë tjetër është akomodimi i një numri kaq të madh sportistësh e delegacionesh. Për këtë, Aliti shprehet se po planifikohet të ndërtohet një “fshat mesdhetar” enkas për këtë ngjarje.

“Duhet të kuptojmë që është momenti për herë të parë kur mund të krijojmë bazën për të rregulluar komplet infrastrukturën në Kosovë, nuk flasim vetëm për Prishtinën, flasim për të gjithë Kosovën, sepse lojërat duhet të shtrihen në të gjithë Kosovën… Kosova definitivisht ka nevojë për investim tek akomodimi, nuk besoj qe kemi të mjaftueshëm për momentin hoteleri për pjesën që duhet të akomodohen në hotele…Është edhe pjesa e ndërtimit të fshatit mesdhetar, nuk është definuar akoma, sepse pritet studimi i fizibilitetit teknik dhe financiar dhe kjo kur të përfundojë do të definojë saktë se ku duhet të bëhet ‘fshati medhetar’, ku do të mbahen, apo ku do të akomodohen të gjithë sportistët, trajnerët dhe delegacioni përcjellës i të gjitha Komiteteve Olimpike kombëtare. Kjo mund të nënkuptojë edhe ndërtim të veçantë, por edhe renovim për shembull të qendrës studentore”, thekson Aliti.

Derisa shpreh brengën se do të nevojitet zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri” apo ndërtimi i stadiumit kombëtar në mënyrë që hapja solemne të bëhet në mënyrë dinjitoze, Aliti zbulon planin e madh për ndërtimin e infrastrukturës sportive në të gjithë Kosovën.

“Definitivisht duhet të investohet në palestrat dhe sallat sportive dhe këtu po flas më shumë për një renovim, sidomos tek Pallati i Rinisë (Prishtinë), i cili ka nevojë për një renovim shumë të madh, por edhe palestrat tjera siç janë “1 Tetori” (Prishtinë) apo “Minatori” i Mitrovicës, apo Peja, Prizreni, e të tjera ku nevojitet një rinovim, por ndoshta edhe ndërtim i disa sallave të qëndrueshme me një kapacitet minimal, por të cilat mund të shfrytëzohen ndeshjet e sporteve ekipore në fazat grupore…Gjithashtu nevojitet qendra e tenisit, e cila nuk ekziston dhe nevojitet qendra e atletikës, një stadium me minimim 2 mijë apo 3 mijë ulëse dhe gjithashtu duhet të ndërtohet, siç është edhe e definuar në strategjinë kombëtare, një qendër kombëtare olimpike sportive”, shprehet ai.

Pjesë e Lojërave Mesdhetare janë disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, duke përfshirë edhe Serbinë, por Aliti zbulon se nuk do të ketë barriera për asnjë sportist, pa marrë parasysh se nga vjen.

“Ne po shpresojmë që nuk do të ketë barriera. Kosova si shtet apo si komunitet sportiv në asnjë moment nuk ka lejuar influencimin politik në sport dhe ne jemi sjellë të hapur dhe i kemi mirëpritur të gjitha shtetet, pavarësisht a e kanë njohur Kosovën apo jo. Ashtu do të vazhdojmë dhe do të jemi mikrëpritës i të gjitha shteteve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, pra flasim për 26 shtete nga tri kontinente dhe e kemi një frymë, e cila për momentin në këtë komitet ekziston, e cila është bashkuese, frymëzuese, është unifikim dhe është konform me kartën olimpike e cila shumë qartë e definon që nuk duhet të ketë ndërhyrje politike”, thekson Aliti.

Sekretari i KOK-ut tregon se në muajin korrik në Kosovë do të zbarkojë një komision vlerësues, ndërsa vendimi final do të merret më 8 shtator.

“Në muajin korrik parashihet vizita e komisionit vlerësues i cili do të vijë në inspektim infrastrukturor, teknik dhe administrativ, por gjithashtu edhe financiar dhe do të këmbëngul që t’i kemi të gjitha garancitë shtetëtore, politike për organizimin e kësaj ngjarje. Ne duhet sa më shpejtë ta themelojmë këshillin për aplikim dhe kjo kërkohet nga Komiteti Ndërkombëtar dhe vendimin final do ta marrim më 8 shtator në qytetin Heraklio në Greqi ku do të mbahen Lojërat Mesdhetare në rërë… Por theksoj, jam i bindur që do të jemi shtet i cili do t’i fitojë Lojërat Mesdhetare”, bën të ditur Aliti.

Në fund, Aliti potencon se sukseset e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare i kanë mundësuar Kosovës që ta ketë një imazh të fortë dhe të shihet si vend shumë serioz për organizimin ngjarjeve të tilla ndërkombëtare./kp

Back to top button