LSDM dhe BDI me dënim për dhunën e protestuesve

Me hedhjen e vezëve, letrave higjienike, tullumbaceve të mbushura me ujë, por edhe me përdorimin e mjeteve piroteknike, mbrëmë përshkallëzuan protestat para Qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Protestuesit që depërtuan përmes gardhit mbrojtës, hynë në oborrin e Qeverisë ku u penguan nga kordoni policor.

Dhe derisa disa qytetarë u vendosën për mënyra të dhunshme për ta shprehur revoltën e tyre, disa të tjerë protestuan duke luajtur valle dhe duke kënduar. Nga MPB-ja sot kumtuan se në protestën e djeshme janë lënduar 4 policë, se është dëmtuar gardhi mbrojtës dhe se është thyer një dritare e ndërtesës qeveritare.

Partitë në pushtet LSDM dhe BDI me dënim për sjelljen e dhunshme të protestuesve. Nga LSDM-ja thonë se VMRO-DPMNE-ja dhe E Majta me çdo kusht po përpiqen ta destabilizojnë shtetin dhe ta pengojnë procesin e eurointegrimeve.

“NË moment kur zhvillohen konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirëse, VMRO-DPMNE-ja dhe E Majta në vend që të kenë dialog dhe konstruktivitet, ata zgjodhën të organizojnë protesta të dhunshme, të përhapin lajme të rreme, të shpikin skenarë të zinj duke e frikësuar opinionin publik. Kjo është një dëshmi tjetër se Mickoski dhe Apasievi, VMRO-DPMNE-ja dhe E Majta nuk mendojnë për të mirën e shtetit dhe të mirën e Qytetarëve”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, Zëdhënës I LSDM-së.

Nga BDI-ja akuzuan se partitë pro-ruse organizojnë protesta të dhunshme kundër eurointegrimeve dhe se zbatojnë agjendën e Moskës për destabilizim të vendit dhe rajonit. U bëjnë thirrje partive që të distancohen nga agjendat destruktive dhe të punojnë bashkërisht për integrimin në Evropë duke e respektuar identitetin dhe karakteristikat identitare, kulturore dhe gjuhësore.

Nga VMRO-DPMNE-ja edhe sot akuzuan se propozimi francez i përmban të gjitha kërkesat bullgare. U apeluan qytetarëve të dalin në protestë në mënyrë masive dhe ta pengojnë Qeverinë që ta nënshkruajë këtë dokument të dëmshëm.

“Ky propozim paraqet ultimatum i cili përmban të gjitha kërkesat bullgare. Fakti që Qeveria dëshiron ta prezantojë si sukses i madh, në fakt është vetëm një katastrofë e madhe diplomatike. Korniza përmban protokolle ose raporte vjetore përmes të cilave Bullgaria do të ketë ndikim dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në ndryshimin e teksteve shkollore dhe monumenteve. Kjo do të ndikojë edhe mbi ndryshimin e fakteve historike për ngjarje dhe figura që në mënyrë të drejtpërdrejtë prekin jo vetëm historinë maqedonase, por edhe identitetin maqedonas”, pohoi Dragan Kovaçki, anëtar i bordit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

Protestuesit konsiderojnë se me propozimin francez Maqedonia po bullgarizohet dhe nuk njihen gjuha dhe historia maqedonase. Kërkojnë që Qeveria ta hedhë poshtë propozimin në fjalë.

ANKETË:

-Kërkesat tona janë që Maqedonia të jetë vend i lirë dhe të mos jetë nën diktatin e askujt.

-Ka shumë maqedonas, paraardhësit e të cilëve janë njerëz të torturuar  dhe të vrarë nga pushtuesi bullgar.

-Sipas meje, më e mirë do të ishte të mos pranohen, sepse pas kësaj na pret një gjenocid. Çka t’ju them. Kurrë më nuk do të jemi kjo që jemi tani. Kështu që, asimilimi është i pashmangshëm. Njëjtë siç nuk ka keni kthyer Maqedoninë e Egjeut dhe Maqedoninë Lindore, as këtë Maqedonia nuk do ta kthejmë kurrë më.

-Sipas meje është i dëmshëm edhe për gjuhën, edhe për kombësinë, edhe për historinë.

Protestat filluan para katër ditëve kur Qeveria kumtoi se ka marrë propozim të rishqyrtuar francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, në të cilin janë përfshirë edhe vërejtjet e Qeverisë së Maqedonisë. Protestat nuk kanë organizator zyrtar, kurse është paralajmëruar se protesta e radhës do të mbahet sonte në orën 19:00. Tubimi do të fillojë para Qeverisë, e marshi do të vazhdojë drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button