LSDM ka 3 kandidatë shqiptarë për Tetovën! Zaev do të ishte i lumtur nëse gjen kandidat favorit

Lidhja Socialdemokrate ka 5 emra për kandidatë për Tetovën, 3 prej të cilëve janë shqiptarë, tregon kreu i partisë Zoran Zaev, i cili nuk fsheh gëzimin nëse një shqiptar do ta nxirrnin në garë për Komunën e Tetovës.
“Në rrethana të tilla unë do të isha i lumtur nëse do të kishim kandidat shqiptar që do të ishte favorit sepse vetëm kështu mund të insistoni të shkoni me kandidat tuajin sepse e dini se si qëndroni me rejtingjet në secilin qytet. Në rejtingun e fundit të IRI, BDI kishte 14%, LSDM 12%, Aleanca 10% dhe kështu ishin anketat për Tetovën”, tha Zaev.
Emrat e kandidatëve shqiptarë që mund të garojnë nën logon e LSDM-së nuk i tregoi. E sa i përket rrezikut të mundshëm që i kanoset qeverisjes “Zaev 2”, në të cilën bëjnë pjesë BDI, Besa dhe PDSh, kryeministri kërkon durim.
“Dalëngadalë, me qetësi, do të bëhet! Pse?! Bëhet fjalë për partnerë koalicioni, që kemi besim të madh, në disa punë jemi të ndryshëm, këtë opinioni e di dhe gjithmonë jemi përpjekur të gjejmë zgjidhjet”, shtoi Zaev.
Pas takimeve që kishte me kreun e Besës, Kasami dhe atë të PDSh-së Thaçi, Zaev sot do të takohet me kreun e integristëve Ahmetin, me të cilin pret të konfirmojë dëshirën për dalje të përbashkët në zgjedhje.
“Ku do të flasim dhe edhe një herë vetëm do të konfirmojmë se dëshira se për të dalë së bashku është e pranishme, ndërsa detajet as unë, e as ai me shumë gjasa sot nuk mund t’i themi, procedurat vazhdojnë”, u shpreh Zaev.
LSDM, VMRO-DPMNE dhe koalicioni shqiptar Aleanca-Alternativa janë ato që ende nuk kanë bërë të ditur emrat e mundshëm për kryetarë të Tetovës. BDI nga anketat e bëra, ka parë që kryetarja aktuale Teuta Arifi qëndron mirë me rejting, gjë që e ka pohuar vetë kreu i partisë Ahmeti. Lëvizja Besa tashmë publikisht ka deklaruar se Tetovën do ta synojnë me kryetarin e partisë Bilall Kasami, ndërsa PDSH-ja ka zyrtarizuar kandidaturën e ish-kryetarit Sadi Bexheti./TV21

Back to top button