LSM do të nisë padi deri te Këshilli i Evropës, “S’ka dialog social me ‘do të’ dhe manipulime!”
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë me Konfederatën e sindikatave evropiane dhe botërore dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës, është duke përgatitur një padi mbi bazë të moszbatimit të Konventës 154 të vitit 1981 për negocim kolektiv dhe mosharmonizim të rrogave në sektorin publik me pagën minimale. Edhe pse u ishte premtuar, megjithatë në ribalancin e buxhetit nuk janë parapara mjete financiare për të punësuarit në këtë sektor.
“LSM-ja ishte mashtruar nga Qeveria, nga partneri ynë social. Ne si LSM për momentin jemi duke përpiluar një padi deri te gjykatat e Maqedonisë, por edhe deri te gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës”, tha kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Edhe pse duhej që Metodologjia për të cilën po flet ministrja Trençevska që nga 1 maji, të ishte gati për 10 ditë, nga Lidhja e Sindikatave thonë se ende nuk e kanë parë. Sipas tyre, bëhet fjalë për “blerje kohe”. Po të shkruanin nga një fjali në orë, deri tash do ta kishin përfunduar, thotë kryetari Dimovski.
“As nuk është bërë, as nuk ka mbërritur te ne, e as nuk e dimë se kush po e bën. Nëse po përgatitet është logjike që ne si partnerë socialë të Këshillit Ekonomik Social të marrim pjesë në përpilimin e asaj metodologjie, siç ishte për pagën minimale. Pastaj, kjo metodologji duhet të diskutohet në Këshillin Ekonomik Social ku bëjnë pjesë 3 aktorët: punëtorët, punëdhënësi dhe Qeveria”, shtoi Dimovski.
LSM-ja ka dërguar paralajmërim para se të ngrejë padi edhe për mospagimin e regresit, siç është paraparë me Marrëveshjen kolektive.
“Ja po pyes publikisht – a do të ketë K-15 për policinë, sektorin e shëndetësisë, për të punësuarit në arsim, në Armatë? Kjo fillimisht duhet të përcaktohet në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive dhe ky është propozimi i LSM-së. Përveç rritjes lineare të rrogave, LSM-ja kërkonte përcaktimin e regresit në të gjithë sektorin publik prej 30 deri 100% të pagës mesatare”, tha Dimovski.
Dimovski thotë se shumë më mirë po zhvillohet bashkëpunimi me pushtetin lokal se me pushtetin qendror, i cili nuk i ka marrë parasysh kërkesat e tyre dhe i cili në vend të një dialogu social, zhvillon monolog social. Procesin e harmonizimit të rrogave, LSM-ja e zbaton në komunat dhe ndërmarrjet komunale. Deri më tani kanë nënshkruar me 8 komuna dhe mbi 30 ndërmarrje publike komunale. Në kërkim të drejtësisë për punëtorët, deri tani LSM-ja ishte “ngjyrosur” me ngjyra të ndryshme politike, por kryetari Dimovski thotë se janë besnikë vetëm ndaj punëtorëve dhe punojnë vetëm për interesat e tyre. Pyetëm në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale – deri ku është metodologjia e re, e cila duhej të ishte zgjidhje afatgjate dhe nëse do të ketë K-15 për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, por deri në këtë edicion lajmesh nuk morëm përgjigje nga ky dikaster./TV21