7 mijë e 200 personel të shërbimit ukrainas të zhdukur
Rreth 7,200 personel të shërbimit ukrainas janë zhdukur që nga fillimi i sulmit rus, tha Avokati i Popullit i Ukrainës, Oleh Kotenko.
Shumica e tyre janë në robëri ruse, tha ai për kanalin televiziv të Ukrainës, Suspilne.
Kotenko tha se forcat e armatosura të Ukrainës kishin raportuar më parë rreth 2,000 trupa të zhdukur. Por, ai tha se numri shumë më i lartë përfshinte anëtarë të Gardës Kombëtare, rojet kufitare dhe shërbimin e sigurisë.
“Qendra jonë e thirrjeve ka informacion për 7200 persona”, tha Kotenko, komisioner i Ukrainës për personat e zhdukur.
Ai tha se shpresonte që “herët a vonë” ata do të shkëmbeheshin me robër lufte rusë dhe do të ktheheshin në shtëpi.
As forcat e armatosura të Ukrainës dhe as ushtria ruse nuk e kanë komentuar publikisht këtë çështje.
Si Kievi ashtu edhe Moska pretendojnë se kanë marrë mijëra robër që kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.
Që atëherë, dy palët ndërluftuese janë përfshirë në disa shkëmbime të burgosurish.
Zhvillime të tjera të së hënës:
Gjashtë persona janë vrarë dhe 31 janë plagosur nga bombardimet ruse të një qendre tregtare dhe banesash në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, kanë thënë zyrtarët lokalë.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret që e bën më të lehtë për ukrainasit marrjen e nënshtetësisë ruse.
Të dielën, ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov ka thënë se Kievi planifikoi një “ushtri milionash”, të pajisur me armë të NATO-s, për të rimarrë jugun e vendit nga rusët okupues.
Rimarrja e zonave rreth bregut të Detit të Zi ishte jetike për ekonominë e vendit, ka theksuar ai.