“Luarasi” përgënjeshtron zëvendësministrin e Arsimit: Çmimet janë të viteve të kaluara që janë paguar nga Nagavci
Shtëpia Botuese “Luarasi”, ka hedhur poshtë pretendimet e zëvendësministrit të Arsimit, Taulant Kelmendi, lidhur me ofertat për disa prej librave shkollorë, që sipas tij janë bërë për vitin e ri shkollor.
Sipas tyre janë librat e Fizikës së klasës së nëntë dhe Matematikës për klasën e tretë që nuk janë përfshirë fare për sivjet.
“Çmimi i Fizikës 9 dhe Matematikës 3 tregojnë se këto çmime janë të viteve të kaluara, sepse këto dy tekste as që kanë qenë/ as që janë në tenderin që është duke u negociuar për shtatorin e këtij viti”, thuhet në qëndrimin e “Luarasit”.
“Këto janë oferta të vitit të kaluar, të cilat tashmë MASHTI, me nënshkrim të ministres Nagavci, i ka pranuar. Pra, të nderuar qytetarë, mirë a keq, këto çmime tashmë janë pranuar dhe paguar nga ministrja Nagavci”.
Sipas tyre Kelmendi ka gënjyer për vitin e ofertimit dhe theksojnë se Ministria e Arsimit është duke tentuar që ta hedhë fajin tek të tjerët.