Lufta në Ukrainë, Zelensky denoncon ‘terrorin’ rus në fjalimin e OKB-së

Presidenti Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për “krime kundër njerëzimit” pasi një breshëri e re raketore shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën.

Nëpërmjet një video-lidhje, ai i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se si pasojë e terrorit rus në vendin e tij, miliona njerëz kanë mbetur pa energji, pa ngrohje e pa ujë, në temperatura nën zero gradë Celsius, shkruan BBC.

Sulmet vranë të paktën shtatë persona, sipas zyrtarëve ukrainas.

Termocentralet bërthamore dolën jashtë linjës.

Tri centrale që janë ende nën kontrollin ukrainas u shkëputën nga rrjeti i furnizimit me energji.

Centrali në Zaporizhzhia, që është më i madhi në Evropë, sërish është detyruar të mbështetet në gjeneratorët me naftë, për të furnizuar me energji sistemet e ftohjes dhe pajisjet kyçe të sigurisë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka shprehur shqetësim të madh rreth centralit në Zaporizhzhia, i cili ka pësuar dëme nga bombardimet e përsëritura.

Moldavia fqinje përjetoi gjithashtu ndërprerje masive të mërkurën, por nuk u godit drejtpërdrejt.

Me fillimin e dimrit, Moska ka rritur sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Zyrtarët thonë se sulmet me raketa të Rusisë në termocentralet kanë shkaktuar dëme “kolosale” dhe kanë lënë më shumë se gjysmën e rrjetit të vendit në nevojë për riparim.

Vonë të mërkurën, Zelensky tha se situata në Kiev mbeti “shumë e vështirë” dhe përpjekjet do të vazhdojnë gjatë natës për të rivendosur energjinë elektrike.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se të paktën 80% e banorëve të kryeqytetit nuk kishin energji apo ujë të rrjedhshëm.

Por Zelensky tha se disa qytete të tjera të goditura nga raketat ruse kishin arritur të rivendosin energjinë, duke përfshirë Lviv, Odesa dhe Cherkasy./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button