Luftimi i korrupsionit ende sfidë për sistemin gjyqësor

“Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019

Sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të shumta, ku si sfidë kryesore edhe gjatë këtij viti ka qenë lufta kundër korrupsionit. Për luftimin e korrupsionit thuhet se rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme, derisa janë kërkuar rezultate konkrete.

Sfidë e sistemit gjyqësor vazhdon të jetë edhe numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, konfiskimi i pasurisë, shtyrja e paarsyetuar e seancave gjyqësore, si dhe anulimi apo prishja e vendimeve nga gjykatat më të larta. Këto janë thënë në konferencën e nëntë gjyqësore të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që si temë ka pasur “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj tha se viti që po e lëmë pas mund të konsiderohet si një vit i suksesshëm për sistemin gjyqësor në përgjithësi, pasi sipas tij, ka pasur ndryshime pozitive në sistemin gjyqësor gjatë këtij viti. Përkundër që tha se viti 2019 ka qenë i suksesshëm, Çoçaj potencoi se gjatë këtij viti kanë pasur edhe shumë sfida, për çka theksoi se nevojitet përpjekje më e madhe nga të gjithë për të përmirësuar cilësinë e funksionimit të gjykatave. “Ne jemi duke i ndërmarrë të gjitha hapat e duhur të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti dhe do t’i kontribuojnë thellësisht qëllimeve tona kryesore që nga garancia e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, rritja e efikasitetit, përmirësimi i performancës dhe imazhit të sistemit gjyqësor, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, deri tek rritja e besueshmërisë së publikut. Gjatë këtij viti kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve të shumta legjislative, ku kanë hyrë në fuqi ligji për Këshillin Gjyqësor, ligji për gjykatat dhe ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndryshime këto të cilat kanë imponuar nevojën e një angazhimi të jashtëzakonshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nxjerrjen e legjislacionit sekondar, për çka edhe kemi aprovuar një numër të caktuar të rregulloreve dhe kemi marrë vendime të rëndësish me me qëllim të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor”, tha ai. Çoçaj u shpreh se duhet një angazhim edhe më i madh dhe serioz, derisa tha se do të vazhdojnë të punojnë drejtë realizimit të synimeve të tyte për një sistem më të mirë gjyqësor.

Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, tha se përkundër që mund të thuhet se sistemi gjyqësor ka shënuar progres, ka ende sfida me të cilat përballen. Ai tha se si sfidë kryesore me të cilën ballafaqohet sistemi i drejtësisë është lufta kundër korrupsionit, e që sipas tij rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme. Kreu i Gjykatës Supreme deklaroi se gjyqësori si pushtet i veçantë duhet të jetë roje e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe drejtave të njeriut dhe se vetëm gjyqësori i pavarur mund të mbrojë vlerat demokratike kundër interesave politike. Ai tha se gjyqtarët duhet të jenë të gatshëm dhe të përgatitur që në punën e tyre të udhëhiqen vetëm nga ligji dhe arsyeja e shëndosh dhe t’u bëjnë ballë presioneve e të mos bien në ndikimet e askujt, sipas tij, vetëm ata gjyqtarë që munden të mbrojnë pavarësinë e tyre mund të përmbushin rolin e tyre në tërësi. Si të arritur të sistemit gjyqësor e ka quajtur fillimin e punës së departamentit special, që sipas tij, krijimi dhe funksionimi i tij do të sjell risi sa i përket trajtimit të rasteve më të rënda penale.“Në përgjithësi disa gjykata janë të stërngarkuara me raste, e që për pasojë është edhe cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është në nivelet e kërkuara. Shpesh konstatohen vendime të paarsyetuara mirë, jo objektive në përmbajtjen e të cilave rezulton se nuk janë shqyrtuar në mënyrë të drejtë dhe të gjithanshme të gjitha kërkesat e palëve dhe provat e paraqitura në gjykim. Një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sot sistemi i drejtësisë në përgjithësi konsideroj që është lufta kundër korrupsionit, fenomeni i shëmtuar dhe tepër i dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë kosovare në tërësi. Ai pengon zhvillimin e vendit, cenon rënd paqen dhe sigurinë sociale, nxit arbitraritetin, vetëgjyqësinë, polarizon pa të drejtë shoqërinë, toleron dukshëm cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në këtë drejtim rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme dhe kërkohen rezultate konkrete”, tha ai. Ai tha se problem në vazhdimësi po paraqitet shtyrja e paarsyetuar e seancave gjyqësore, si dhe anulimi apo prishja e vendimeve nga gjykatat më të larta. Problem kyç edhe këtë vit për të është politika ndëshkimore, ku ai tha se udhëzuesi i miratuar nga Gjykata Supreme të Kosovës nuk po respektohet. Sfidë ai tha se është edhe konfiskimi i pasurisë i kryerësve të veprave penale, ai tha se ka pak konfiskim dhe se nevojitet një përkushtim më i madh në këtë drejtim.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se gjyqësori ka marrë një dimension të ri e kuptimplotë gjatë dy viteve të fundit. Tahiri tha se sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj. “Sot zbatohet një autoritet suprem, gjyqësor në secilin qytet dhe në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, që ofron shërbime dhe zbaton drejtësinë për të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim ashtu siç e ka përcaktuar kushtetuta. Sot Këshilli Gjyqësor me ligjin e ri i ka të definuara mjaftë qartë kompetencat e tij kushtetuese, që stimulojnë pavarësinë e plotë dhe funksionimin e gjyqësorit si pushtet i tretë. Sot numri i gjyqtarëve për kokë banori ka arritur standardin pothuajse evropian, si dhe është vendosur një trend progresiv i rritjes së numrit të tyre edhe sot kur po flasim. Sot buxheti i gjyqësorit nuk negociohet si shpenzim, por mbështetet si investim. Sot numri i bashkëpunëtorëve profesional është rritur dhe do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen sipas projeksioneve të Këshillit Gjyqësor. Sot gjyqtarët e Republikës së Kosovës marrin paga më të dinjitetshme në rajon dhe më gjerë”, tha ai. Ai shtoi është shënuar një punë relativisht e mirë në reduktimin e lëndëve të pazgjidhura dhe se është rritur cilësia në punën e gjyqësorit.

Konferenca e nëntë gjyqësore është mbështetur nga OSBE, ku shefi i këtij misionit Jan Braathu, potencoi se në një sistem demokratik të qeverisjes është kryesore që pavarësia dhe transparenca e gjyqësorit të mbetet shtylla themelore e sundimit të ligjit. Ai tha se viteve të fundit është rritur besimi i qytetarëve në gjykata dhe prokurori, për çka tha se është një hap pozitiv. Ndërkaq, ka pasur kritika sa i përket punës së gjykatave në trajtimin e lëndëve, ku përmendi se ka shumë vonesa në gjykime, aktakuza të hartuara në mënyrë jo adekuate e disa probleme të tjera. “Sot në vitin 2019 misioni i OSBE-së në Kosovë ka monitoruar afro 884 raste gjyqësore, monitoruesit vrojtojnë trendët, bashkëpunojnë me juve ne gjyqësor dhe në Akademinë e Drejtësisë. Çka shohim, shohim vonesa të vazhdueshme në gjykime, aktakuza të hartuara jo adekuate, numër të pamjaftueshëm të përkthyesve të kualifikuar, dështim në përmbushje të afateve procedurale. Disa prej sfidave më kryesore që i kemi vërejtur dhe të cilat iu tregojmë juve dhe kryetarëve të gjykatave. Këtë e themi jo për ta vënë gishtin e fajësimit, këtë e themi për t’i identifikuar mangësitë dhe për të gjetur mundësi për t’i përmirësuar më tutje”, tha ai.

Kurse, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se nevoja për mbështetjen e sistemit të drejtësisë është e madhe. “Nevoja për mbështetjen e sistemit të drejtësisë është e madhe, kjo nevojë na duhet fillimisht ta kemi prej institucioneve tona vendore dhe pastaj, natyrisht edhe prej partnerëve ndërkombëtar. Vetëm së bashku dhe vetëm të angazhuar që të gjithë mund ta bëjmë një sistem të drejtësisë së pavarur, transparent, efikas, efektiv dhe llogaridhënës”, tha ai.

Në anën tjetër, shefi për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuk, derisa ka përmendur disa nga të arriturat e sistemit gjyqësor të Kosovës, tha se sfidë mbetet zbatimi i ligjit për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit. “Ligji për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit, ky ligj është miratuar në vitin 2018, ka hyrë në fuqi këtë vit, por ende nuk shohim shumë rezultate të prekshme. Ky ligj duhet të implementohet , është një ligj tejet modern, tejet i mirë dhe duhet t’i inkurajojë gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë çdo gjë që ta zbatojnë plotësisht”, tha ai.

Në konferencën e nëntë gjyqësore ka marrë pjesë edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë, Maksim Qoku, i cili tha se për Shqipërinë mbetet sfidë numri i vogël i gjyqtarëve. “Për Shqipërinë mbetet një sfidë mungesa e magjistrave, sepse kjo mungesë është shoqëruar jo vetëm nga të rrëzuarit në veting, por edhe nga daljet në pension dhe dorëheqjet që po paraqesin magjistrat. Aktualisht në Shqipëri ka një numër total rreth 416 gjyqtarë në të tria shkallët, por që sistemi është në mungesë të rreth 100 e ca gjyqtarëve, çka do të thotë e kuptoni se sa problematike shfaqet funksionaliteti i Gjykatave”, tha ai.

Konferenca e nëntë gjyqësore, që këtë vit kishte për temë “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019” është organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Back to top button