LVV: Opozita nuk e ka as aftësinë më të vogël për ta çuar vendin në zgjedhje

Optimizmi i partive opozitare se ky vit do të jetë vit zgjedhor në vend për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje duket se është i tepruar.

Deputetja e kësaj partie , Arbëreshë Kryeziu, tha për RTV21 se opozita nuk e ka as aftësinë më të vogël për ta çuar vendin në zgjedhje.

Sipas saj, nuk ka asnjë arsye për zgjedhje të reja në vend pasi që, siç thotë qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti është qeveri e zgjedhur nga vullneti i të gjithë qytetarëve dhe se është duke punuar në të mirë të tyre.

“Prej 14 shkurtit të zgjedhjeve të fundit parlamentare partitë opozitare e kanë pasur të vështirë ta pranojnë faktin që VV-ja ka dalë fituese me një përqindje jashtëzakonisht të madhe të votave nga ana e qytetarëve dhe prej 15 shkurtit ata kanë kërkuar zgjedhje të reja dhe vazhdojnë të kërkojnë ndërkohë që nuk kanë as aftësinë më të vogël për ta çuar vendin në zgjedhje të reja sepse po flasim për një qeveri që është krijuar nga komplet vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe për një legjislativ që po ashtu rrjedh nga vullneti i qytetarëve pra me nje mazhorancë të përbërë nga VV-ja. Sidomos këtë viti që lam pas partitë opozitare në vazhdimësi në kërkuar zgjedhje, madje shumë herë na kanë kërcënuar me faktin se do të rrezojnë qeverinë por paaftësia e tyre edhe në numra edhe qëndrime e ka bërë të pamundur një gjë të tillë. Ata do të kërkojnë zgjedhje të reja sepse e dinë që s’do të ketë zgjedhje të reja dhe besoj se ky do të jetë mandati i parë që kjo qeveri do ta përmbushë mandatin e plotë..”, tha deputetja Kryeziu.

Megjithatë, deputetja Kryeziu thotë se edhe nëse eventualisht do të ketë zgjedhje këtë vit, Lëvizja Vetëvendosje sërish do të dalë fituese madje më rezultat më të lartë se në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
“Në jemi në vit zgjedhor këtë vit sepse vitin tjetër do të kemi zgjedhje nuk mendoj se do të ketë arsye me pas zgjedhje të reja por edhe nëse do të ketë unë besoj që dihet se kush do të jetë partia fituese në këto palë zgjedhje të reja….vv ka arritur të dëshmoj se është e përkushtuar për të punuar për interesin e përgjithshëm te qytetarëve… Pa dyshim do të kemi rritje sepse këtë e kanë treguar sondazhet që tregojnë që VV-ja do të dalë bindshëm e para dhe do të ketë rritje.. besoj se kemi arsye për të pasur rritje prandaj s’ja kam frikën zgjedhjeve të reja edhe nëse ato do të ndodhnin këtë të diel”, tha ajo.
Partitë opozitare së fundit kanë shprehur gatishmërinë për shkuarjen në zgjedhje të reja, derisa kanë thënë se të njëjtat do të krijojnë qeverinë e ardhshme dhe jo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje/21Media.

Back to top button