​LVV përmes ndryshimit të ligjit synon shkarkimin e bordit të KPMM-së

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i iniciuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Të njëjtit përmes ndryshimit të disa neneve të ligjit aktual synojnë të pamundësojnë që vendimi i mundshëm i Kuvendit për shkarkim të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale të mos sfidohet në gjykatat e rregullta dhe procesi i emërimit të bordit të ri të bllokohet.
Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se Kosova është republikë parlamentare dhe Kuvendi nxjerr akte juridike dhe jo administrative që të sfidohen në gjykatat e rregullta dhe jo Gjykata Kushtetuese.
“Kjo dispozitë është në kundërshti me konceptin e Republikës parlamentare ku Kuvendi është organi më i lartë legjislativ dhe vendimet e Kuvendit mund të kundërshtohen vetëm në organet kushtetuese. Po ashtu, sipas rregullimit aktual proceduralisht ne mund të ballafaqohemi me bllokim të institucionit të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve në situatën kur të njëjtit nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre, por vazhdojnë të paguajnë me pagë të plotë. Kurse qeveria bllokohet të propozojë dhe kuvendi të emërojë anëtarë të bordit të në këtë institucion”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se Kuvendi duhet të shkarkojë bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Por, ka shtuar se shkarkimi i tyre përmes ndryshimit të ligjit fillimisht është i gabuar, pasi një e drejtë e fituar me një ligj nuk mund të ndryshohet në proces e sipër.
Ai ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor në Kuvend për punën e këtij komisioni.
“Ndryshimet në këtë projektligj kanë të bëjnë në shkarkimin e Bordit për miniera dhe minerale. Një bord që para një viti e keni miratuar në këtë kuvend dhe ne si opozitë e kemi kundërshtuar. Sot po kundërshtoni me ndryshu një ligj që mundëson shkarkimin e tyre ashtu siç i quani paqartësive që janë në ligjin aktual. E para, besoj se do ta dini, një e drejtë e fituar me një ligj nuk mund të ndryshohet në proces e sipër. Prandaj ne jemi që t’i shkarkojmë këta njerëz, por ndryshimi i këtij ligji për shkarkimin e tyre është e pavlefshme”, ka thënë ai.
Atij i ka reaguar deputetja Kusari-Lila, derisa ka mohuar se bordi aktual i komisionit për miniera dhe minerale s’janë njerëz të pushtetit.
“Sikur të kishin qenë këta njerëz të kryeministrit apo pozitës, çështjes për të cilat i kemi ngritur publikisht do t’i adresonim privatisht, ju e dini shumë mirë si këto punë kryhen. Nuk kishim bërë publike ne problemet e brendshme të bordit, sikur të ishin njerëz të besueshëm të dikujt”, ka thënë ajo.

Back to top button