Macron u inaugurua President i Francës

Në ceremoninë në Pallatin Elize

Emmanuel Macron sot u inaugurua si president i ri i Francës, vetëm një javë pas fitores bindëse që shënoi kundër Marine Le Penit në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilin ai fitoi 66 për qind të votave. Macron 39 vjeçar, përndryshe presidenti më i ri i zgjedhur në historinë e Francës, premtoi se do të ripërtërijë rregullin politik dhe se do të freskoi ekonominë e vendit.

Në fjalimin e tij inaugurues, Macron gjithashtu porositi se do të ripërtërijë edhe fuqinë e Francës në skenën ndërkombëtare.
Në fund të fjalimit të tij, Makron nderoi edhe paraardhësit e tij të deritanishëm, duke filluar nga Sharll De Golo, e deri te Fransoa Holland, duke nënvizuar se Franca do të jetë gjithmonë në anën e lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Ai funksionin e mori përsipër nga Fransoa Holland, i cili nuk ishte aspak i popullarizuar, ngase gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij, shkalla e papunësisë u rrit dukshëm.
Holland gjatë ditës ja dorëzoi Macronit edhe kodet e armëve bërthamore dhe të dhënat tjera për fshehtësitë shtetërore, shkruan rtv21.tv.

Një numër i madh i pjesëtarëve të sigurisë mbikëqyrën mbarëvajtjen e ceremonisë në rezidencën e Presidentit, ndërsa me qindra patrulla tjera u angazhuan në Paris.

Në Francë ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, e shpallur në vend pas sulmeve terroriste në vitin 2015.
Në ceremoninë e sotme të inaugurimit ishin të pranishëm edhe presidentët e Kuvendit Kombëtar dhe Senatit, si dhe kryeministri i Francës, ndërsa Presidenti i Këshillit Kushtetues, Loran Fabius, me këtë rast lexoi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe me këtë, Macron edhe zyrtarisht mori përsipër funksionin e Presidentit.

Makronit më pas ju dorëzua medalja e Legjionit të Nderit nga ana e shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë së Francës, Benoa Pizha, i cili porositi presidentin e ri se do ta ketë nderin që t’i shërbejë./21Media

Back to top button