Madeleine Albright “kampione e demokracisë”
Madeleine Albright, një emigrante çeke që u bë sekretarja e parë grua në historinë e SHBA-së, ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare.
Një veterane për një kohë të gjatë në politikën e jashtme, Albright u bë kryediplomate amerikane në vitin 1997 gjatë qeverisë së Bill Clintonit.
E përshëndetur shpesh si “një kampione e demokracisë”, Albright kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë, shkruan rtv21.tv.
Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj. Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.
Vdekja e saj nga kanceri u konfirmua nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Në mesin e atyre që reaguan pas njoftimit të vdekjes së saj ishte sekretari aktual i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se Albright “ishte një forcë për lirinë” dhe një “kampione e hapur e NATO-s”.
Ish-presidenti i SHBA-ve, George W Bushh tha se Albright “e kuptoi nga dora e parë rëndësinë e shoqërive të lira për paqen në botën tonë”.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, shkroi në Twitter se bota “duhet të qëndrojë pranë” vlerave të Albright “më shumë se kurrë”.
E lindur në Pragë në vitin 1937 në atë që ishte Çekosllovakia e atëhershme – Albright ishte e bija e një diplomati çekosllovak, i cili u detyrua të largohej pas pushtimit të vendit të tij nga Gjermania naziste në vitin 1939.
Ajo u transferua në Shtetet e Bashkuara në vitin 1948, në të njëjtin vit që familja e saj aplikoi për azil politik, me argumentin se ata nuk ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi si kundërshtarë të regjimit komunist të vendit të tyre. Albright u bë një shtetase amerikane në vitin 1957./21Media