Mali i Zi mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi
Qeveria e Malit të Zi, mirëpret marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e BE-së”, kështu ka deklaruar sonte Kryeministri në mandat teknik, Dritan Abazoviq.
Ai ka theksuar se dialogu është zgjidhja e vetme e mundshme për tejkalimin e çdo krize.
“Ne duam paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën, por mund të riformojmë të ardhmen.”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sot ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Borrell ka potencuar se Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre./21Media