Mali i Zi shpreson se edhe Maqedonia shpejt do të pranohet në NATO

Kryeministri malazez në Uashington foli për zgjerimin e Aleancës

Kryeministri malazez, Dushko Maroviq shfaqi shpresë se pas vendit të tij edhe Maqedonia së shpejti do të mund të anëtarësohet në NATO. Maroviq foli për zgjerimin e mëtutjeshëm të Aleancës gjatë ceremonisë në Uashignton për pranimin zyrtar të Malit të Zi në NATO, transmetoi Televizioni i Maqedonisë.

“Unë do të dëshiroja që edhe Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia ta përshpejtojnë procesin e vet. E dini se Maqedonia pati shkuar shumë larg, por për shkaqe të ndryshme ngeci në atë rrugë. Besoj se tani po krijohen rrethana dhe atmosferë e brendshme në Maqedoni që të niset me integrim të përshpejtuar jo vetëm kur është në pyetje NATO-ja, por edhe në Bashkimin Evropian. Mali i Zi është këtu ta përforcojë, të jetë me Maqedoninë dhe ta mbështesë dhe inkurajojë dhe kuptohet me njohuritë dhe përvojat e veta të kontribuojë që ai proces të përfundojë në afatin sa më të shkurtë të mundshëm”, deklaroi Maroviq.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu, paralajmëroi se Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina mund të pranohen në NATO nëse i zbatojnë reformat e nevojshme.

“Këtë që e bëmë sot dëshmon se dera e NATO-s është e hapur për ato shtete që janë të afta për reforma, ta zbatojnë sundimin e së drejtës dhe t’i modernizojnë institucionet e mbrojtjes. Punojmë me Bosnjë e Hercegovinën dhe me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe t’i zbatojnë reformat e domosdoshme në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, deklaroi Stoltenberg./21Media

Back to top button