Malisheva nis fushatën e korrje – shirjeve

Rreth 4.000 kilogramë me grurë për një hektar

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha e kanë përcjellë nga afër fillimin e fushatës për korrje – shirje. Bashkarisht vizituan bujkun Shani Hoti në Carallukë, i cili është ndarë i kënaqur me rendimentin e grurit, pasi në arat që sot ishte duke i korrur, rendimenti sillte rreth 4.000 kilogramë me grurë për një hektar.

Komuna e Malishevës e ka formuar edhe shtabin komunal për përcjelljen e fushatës së korrje-shirjeve.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, ka deklaruar se rendimenti i grurit është sikur edhe pritej, pasi bazuar në raportet e sotshme, rendimenti është katër mijë kilogramë për një hektar.

“Në disa vende, për shkak të shiut, ku uji ka qëndruar një kohë të gjatë në arat me grurë, rendimenti është më i ulët, por në përgjithësi, rendimenti është i kënaqshëm”, tha ai.

Në Komunën e Malishevës, me grurë janë mbjellë 38.780 hektarë, 36 hektarë me tërshërë, 18 hektarë me elb dhe 4.8 hektarë me thekër. Për realizimin e fushatës së korrje shirjeve, janë angazhuar 36 autokombajna, ndërsa çmimi i korrjes për një hektar është 100 euro, i përcaktuar nga ministria dhe ky çmim është duke u respektuar.

Back to top button