Malisheva vazhdon kujdesin ndaj familjeve të vetizoluara dhe atyre në nevojë

Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19 po kujdeset edhe për personat e moshuar

Situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ka bërë që shumë persona të vetizolohen dhe për këtë shkak, komuna e Malishevës, është duke u kujdesur në vazhdimësi për të gjitha këto raste, duke i furnizuar me barna dhe ushqime, pasi të njëjtit nuk mund të dalin për tu furnizuar për familjet e tyre.

Kjo përkujdesje, edhe sot ka vazhduar sikur ditëve tjera, duke i furnizuar me të gjitha gjërat që ata kanë nevojë, duke i bërë të ndihen të sigurt dhe pa probleme.

Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19, përveç këtyre familjeve, po përkujdeset edhe për familjet tjera në nevojë, përfshir edhe familjet në asistencë sociale, pastaj ato familje të cilat e kanë problem lëvizjen dhe personat e moshuar, të cilët tani nuk mund të lëvizin nga shtëpitë e tyre, edhe për shkak të kufizimit të lëvizjes, por edhe për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes nga përhapja e COVID-19.

“Që nga dita e parë i kemi siguruar qytetarët tanë, se asnjë familje nuk do të mbetet pa furnizime për shkak të situatës, dhe ne si shtab komunal në bashkëpunim të ngushtë me kryetarët e fshatrave, por edhe në komunikim direkt me familjet, jemi duke i mbështetur të gjitha rastet që aktualisht kanë nevojë për mbështetje”, ka thënë nënkryetari Berisha.

Back to top button