Mane reflekton pas largimit nga Liverpooli: Do të jem tifozi numër një i ekipit

Para pak çastesh u konfirmua se Sadio Mane është larguar nga Liverpooli duke iu bashkuar Bayern Munichut në një marrëveshje tre vjeçare.
Mane do të vazhdojë të ardhmen e tij në Bundesliga, ku ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2025 me kampionin gjerman, përcjell KosovaPress.
Tani, ylli senegalez, në një intervistë të fundit për Liverpoolin, reflektoi për vitet e tij te gjiganti anglez, duke treguar se do të jetë tifozi numër një i “Të Kuqve”.
“Kushdo që largohet nga Liverpooli, mendoj se do t’i mungojnë tifozët, sepse janë më të mirët në botë, e kam thënë gjithmonë. Sidomos kur këndojnë emrin tim ‘Mane, running down the wing’. E kam shijuar këtë kohë me të vërtetë, të luash në ‘Anfield’ të jep shumë më tepër fuqi shkaku i tifozëve”, tha Mane.
Ndërkaq, Mane ka folur edhe për momentin më të mirë dhe golin më të mirë në karrierën e tij si futbollist i Liverpoolit.
“Kam arritur diçka te pabesueshme te ky klub dhe jam mirënjohës për mundësinë. Momenti im i preferuar është fitorja 4:0 ndaj Barcelonës në vitin 2019, ndërsa goli im i preferuar duhet të jetë në debutimin ndaj Arsenal, ndërsa i dyti i preferuari ndaj Bayern. Më falni Bayern (qesh)”, tha Mane.
Për fund, Mane foli edhe për dyshen e sulmit, Roberto Firmino dhe Mohamed Salah, me të cilët arriti të kishte paraqitje dhe statistika fantastike te Liverpooli.
“Firmino dhe Salah – wow, çfarë lojtarë. Liverpool ende ka lojtare të mrekullueshëm, janë ekipi më i mirë në botë me tifozët më të mire në bote padyshim. Sezoni i fundit ishte i pafat për ne pasi ishim afër t’i fitonim katër trofe por përsëri mund te them se e kam shijuar çdo edicion këtu”, tha Mane.
Nga 269 paraqitjet e tij për klubin, Mane shënoi 120 gola, 38 asistime ndërsa fitoi të gjithë trofetë e mundshëm si Premier Ligën, Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, Super Kupën e Evropës, FA Cup dhe Carabao Cup.

Back to top button