CDU/CSU mocion në Bundestag: Gjermania të angazhohet që 5-shja e BE-së ta njohë Kosovën

Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të enjten, 23.06. në Bruksel, deputetët e CDU/CSU kërkojnë nga qeveria gjermane hapa konkrete për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Deputetët kërkojnë në mocionin e tyre që qeveria gjermane të ndikojë që shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën ta njohin atë. Deputetët sugjerojnë që qeveria gjermane ta argumentojë këtë me situatën e re të sigurisë të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë. Më tej deputetët kërkojnë edhe angazhimin e diplomacisë gjermane për anëtarësimin sa më shpejt që është e mundur të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe si hap i parë në Këshillin e Evropës.
Veç të tjerash, deputetët kërkojnë refuzim të vendosur të ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektivën e anëtarësimit të tyre në NATO, rritjen e luftës kundër korrupsionit, vazhdimin e “Procesit të Berlinit” për bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal dhe reforma brenda BE-së që sigurojnë kapacitetin e tij absorbues në të ardhmen./DW

Back to top button