Manza vizitoi KFOR-in, informohet për situatën e sigurisë

John Manza, ka vizituar sot KFOR-in, si dhe është takuar me ambasadorët e QUINT-it

Zëvendësndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për operacione, John Manza, ka vizituar sot KFOR-in, si dhe është takuar me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Gjatë vizitës së tij, John Manza u prit nga gjeneral-major Giovanni Fungo, komandant i KFOR-it dhe u informua për zhvillimet e fundit mbi situatën aktuale të sigurisë dhe situatën socio-politike në Kosovë.

Sipas një komunikate të KFOR-it, stafi i KFOR-it, veçanërisht vuri në dukje rezultatet e rëndësishme të arritura nga KFOR-i për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes, duke mundësuar kështu zhvillimin e kushteve më të mira sociale dhe ekonomike për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Manza gjithashtu u takua me ambasadorët e QUINT-it; Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë e Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe përfaqësues të Komunitetit Ndërkombëtar në Kosovë.

Gjatë këtyre takimeve, ata diskutuan rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit të ndërsjellë midis Organizatave të Komunitetit Ndërkombëtar dhe Institucioneve në Kosovë, për të përmirësuar, nëpërmjet dialogut, stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të Kosovës.

Back to top button