Maqedonci: Dronët përdoren për vëzhgim të ushtrisë brenda territorit të Kosovës, asnjëherë të ndonjë ushtrie jashtë saj

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një intervistë për RTV21 u shpreh se qëllimi i përdorimit të dronëve Bajraktar është që të krijohet mundësi për vëzhgim të territorit brenda Kosovës dhe asnjëherë të ndonjë ushtrie jashtë territorit të saj.
“Kemi një njësi që drejton fluturaket pa pilot, në këtë rast Bajraktarët TB2, normalisht që ne operojmë, testojmë dhe trajnohemi me dronët Bjraktar por edhe me paisjet e tjera. Qëllimi i operimit është që të krijojmë mundësi për vëzhgim të territorit të vendit tonë normalisht edhe kërcënimeve dhe rreziqeve që i kanosen territorit të vendit tonë pa synuar asnjëherë që të vëzhgojmë apo koordinojmë vëzhgim të bazave të ndonjë ushtrie jashtë Republikës së Kosovës. Po normalisht ne kemi edhe struktura të inteligjencës në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që grumbullojnë informacione dhe ne nuk neglizhojmë informacionet që vijnë për pozicionim të forcave për rreth kufirit. Dihet që deri tani janë 48 baza të identifikuara të Ushtrisë dhe Xhandarmërisë Serbe për rreth brezit kufitar me Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?