Maqedoni, reagimet e opozitës për Qeverinë e re

 

Opozita shqiptare nuk e pranon lehtë hyrjen e BDI-së në Qeveri. Koalicioni “Tash është koha” vlerëson se përbërja e re qeveritare nuk është legjitime. Lideri i Alternativës, Afrim Gashi tha se BDI është deligjitimuar pasi ka hequr dorë nga premtimi kryesor gjatë fushatës, kryeministri shqiptar.

“Nëse një qeveri nuk i ka dy shtyllat kryesore që janë legaliteti dhe legjitimiteti, ajo qeveri nuk mund të ecë përpara dhe nuk mund t’i përfaqësojë qytetarët e vetë. Dje u konstatua dhe u prononcua se është arritur një marrëveshje në mes dy subjekteve prej të cilave njëra është e delegjitimuar totalisht për shkak se ka heq dorë nga premtimi i saj kryesor, kryeministri shqiptar”,  deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Lideri i ASH-së, Ziadin Sela, BDI-së ia veshi cilësinë e hajnit dhe gënjeshtrës, duke vlerësuar se kryeministri shqiptar nuk do të bëhet as për 100 ditë.

“Oponentët tanë, BDI, nuk kanë aspak legjitimitet sepse e kanë të blerë dhe të vjedhur, të shantazhuar dhe të frikësuar, të qytetarëve. Në momentin që flasim ka dy propozime, njëri është që qeveria sipas modelit të Përzhinës të mos ekzistojë apo, me fjalë të tjera nuk do të ketë Kryeministër teknik për 100 ditë dhe tjetri tani na qenka kryeministër teknik. Rrenë,  mashtrim, e cila është cilësi e hajnave si oponentët tanë politik. Edhe ky 100 ditëshi nuk do të bëhet, mos bini pre e këtyre manipulimeve”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

VMRO-DPMNE-ja ia kujtoi akuzat që kanë bërë mes vete BDI dhe LSDM gjatë fushatës zgjedhore.

“Zaev për BDI konsideroi dhe deklaroi se nuk vlen pesë pare, se është koha për opozitën, që në Reçicë të Vogël është selia e krimit. Nënkryetari i LSDM-së Zekiri e konsideroi BDI-në si kancer të shoqërisë maqedonase. Dhe BDI thoshte se LSDM-së i intereson vetëm për tenderët dhe se ata gënjejnë publikun maqedonas. Sot kemi një koalicion midis LSDM-së dhe BDI-së për mbrojtjen e tenderëve, bizneseve dhe krimit. Sot kemi një koalicion për qeveri që nuk vlen 5 para, që është kancer i shoqërisë maqedonase dhe që është një burim krimi”, Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe ditë më parë Skender Rexhepi i Alternativës tha se do të propozojë në parti që të bojkotohet puna e kuvendit, por lideri i ASH-së Ziadin Sela tha se nuk ka një vendim të tillë dhe se vendimet i sjellin me marrëveshje mes dy partive ASH dhe Alternativa./21Media

Back to top button