Markoviq hedh poshtë akuzat e Rusisë

Kryeministri tha se anëtarësimi në NATO na forcon, nuk jemi kundër Moskës

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, vlerësoi sot se pas konfirmimit të marrëveshjes së Uashingtonit në Parlamentin e Malit të Zi dhe pas anëtarësimit të vendit në NATO, Podgorica do të siguroi për vetë një pozitë shumë më të favorshme ndërkombëtare, duke shtuar se anëtarësimi në aleancë do të jetë një garanci afatgjate për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Ai më tutje qartësoi se me anëtarësimin në NATO, Mali i Zi do të bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare dhe se vendi për herë të parë në historinë e vet do të ulet në një tavolinë, në të cilën do të merren vendime të rëndësishme.

Markoviq anëtarësimin e vendit në NATO e cilësoi si një ngjarje historike për Malin e Zi dhe foli gjithashtu edhe për tendosjet aktuale të vendit të tij me Rusinë, pikërisht për shkak të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, proces ky i cili është kundërshtuar fuqishëm nga Moska, shkruan rtv21.tv.

Kreu i qeverisë malazeze tha se nuk mund të konsiderohet si mëkat kundrejt Rusisë vendimi i malazezëve që vet të vendosin për ardhmërinë e tyre, e cila sipas tij janë proceset evropiane dhe euroatlantike të integrimit. Markoviq nënvizoi se Mali i Zi nuk ka bërë kurrfarë mëkati ndaj Rusisë dhe theksoi se është çmenduri të mendohet se vendimet që Podgorica ka ndërmarrë në këtë rrugë janë të drejtuara kundër Rusisë./21Media

Back to top button