Presidenti i SHBA-së mburret për 100 ditët

“Kam përmbushur të gjitha premtimet, mediat në fushatë kundër meje”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, vlerësoi sot se 100 ditët e tij të para në funksionin e Presidentit kanë qenë mjaft produktive dhe porositi adhuruesit e tij në Pensilvani se ai do të fitoi edhe betejat tjera të mëdha, të cilat e presin në të ardhmen.

Trump me këtë rast tha se vërtetë beson se 100 ditët e para të administratës së tij ishin më të suksesshmet në historinë e vendit, duke shtuar se brenda vetëm 14 javëve, administrata e tij ka sjellë ndryshime të mëdha në Uashington.

Në fjalimin që zgjati një orë, Trump sulmoi edhe mediat dhe paraardhësin e tij, Barack Obamën, nënvizoi mbështetjen e tij për industrinë dhe ushtrinë amerikane, foli për pozitën e tij në fushën e politikës së jashtme dhe përsëriti sërish moton e tij, “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”, shkruan rtv21.tv.

Vendimi që tubimi të zhvillohet në Pensilvani, shtet ky i cili votoi në zgjedhje për të, ishte i qëllimshëm dhe siç tha Trump, ai deshi të largohet sa më larg nga Uashingtoni, pasi që në kryeqytet të shtunën në mbrëmje u organizua darka tradicionale vjetore e korrespondenteve që raportojnë nga Shtëpia e Bardhë.

Duke nënvizuar se është i lumtur që është larg kësaj darke të mërzitshme, Trump përqeshi siç i quajti lajmet e rrejshme të kanalit televiziv, CNN dhe gazetën New York Times, duke i cilësuar këto media si të turpshme.

Gjatë fjalimit Trump përmendi edhe faktin se ka nënshkruar një numër të madh të urdhrave ekzekutiv, duke shtuar se ka qenë tejet produktiv, përkundër kaosit të cilin sipas tij e ka lënë prapa administrata e Obamës./21Media

Back to top button