Marrëveshja e Asociacionit, reagon Mustafa: S’ka shkelje të Kushtetutës, është gënjeshtër e Kurtit

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratës kryeministrit Albin Kurti se dy marrëveshjet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe shkelnin parimet e Kushtetutës dhe cenonin rendin juridik. Mustafa e ka quajtur këtë sajesë dhe gënjeshtër.

Mustafa ka deklaruar se Kushtetuesja nuk e ka trajtuar Marrëveshjen e vitit 2013 e se ajo s’ka cilësuar se i shkel parimet e Kushtetutës.

“E vërteta është kjo. Gjykata, me kërkesë të Presidentes Jahjaga, ka trajtuar vetëm dokumentin për parimet të vitit 2015. Në Aktgjykim në Rastin nr. K0130/15, Prishtinë, 23 dhjetor 2015 Nr. ref.:AGJ877/15) thuhet si vijon: Pika II: TË KONSTATOJË që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumice serbe do te themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës se Kosovës. Pra, askund nuk figuron se kjo marrëveshje shkel kushtetutën, por thuhet se Asociacioni do të themelohet sipas kësaj marrëveshje. Në pikën III. KONSTATOHET që Parimet, siç; janë elaboruar në ‘Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosove -Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Askund nuk konstatohet se është shkelur Kushtetuta, por se këto parime ‘nuk janë tërësisht’ ( pra jo tërësisht) në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës”, thuhet në reagimin e Mustafës.

Sipas tij “nëse dokumenti i vitit 2015 do të ishte shkelje e Kushtetutës, atëherë si do të nxirrej obligimi nga ky dokument (pika 2 dhe 21 e tij) për trajtimin nga gjykata Kushtetuese të Statutit dhe të ndryshimeve në Statut”.

“Apo z. Kurti ka interes që këtë ta shpallë antikushtetuese për t’i ikur trajtimit të statutit në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë shkelja e Kushtetutës është sajesë dhe gënjeshtër e z. Kurti”, ka thënë më tej Mustafa.

Më tej, Mustafa ka thënë se “ajo heq dorë nga njohja reciproke” e se “thirret në Rezolutën 1244 dhe statusin e pavarësisë së Kosovës e bënë të paparagjykuar për palët?!”
“Pika 7 e marrëveshjes së z. Kurti instalon autonominë politiko territoriale të komunitetit serb, kufijtë e autonomisë dhe arbirtrazhin ndaj rendit kushtetues të vendit (siç janë përcaktuar me draft statut). Kishës Ortodokse serbe i garanton zyrtarizmin e statusit të saj, që s’është as më pak dhe as më shumë sesa eksterritorialitet, ose shtet në shtet. Nuk kam dëgjuar ta ketë kërkuar këtë ndonjëherë Gjykata Kushtetuese!” ka shkruar Mustafa./21Media

Back to top button