G7 ngrit shqetësime rreth Projektligjit për Gjykatën Administrative

Dhoma Ekonomike e Grave- G7 i ka dorërzuar deklaratë Kryetarëve të Grupeve Parlamentare si dhe antarëve të Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, përmes së cilës shprehin shqetësimet lidhur me Projektligjin për Gjykatën Administrative.

Në deklaratën e dorëzuar, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 thekson rëndësinë e garantimit të një mjedisi të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm ligjor për zhvillimin e sektorit privat.

Në deklaratë thuhet se Gjykata Komerciale tashmë ka arritur një shkallë mbi 96% të zgjidhjes së rasteve. Kjo arritje nxjerr në pah efikasitetin e strukturës së tanishme në trajtimin e kontesteve të bizneseve në mënyrë efikase.

“Propozimi për transferimin e kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative shkakton shqetësime të konsiderueshme në komunitetin e biznesit, veçanërisht në lidhje me garantimin e parimit të sigurisë juridike në vend. Një veprim i tillë, përveç që do të minonte punën e Gjykatës Komerciale deri më sot, i njejti do të ndikonte edhe në humbjen e qëllimit të vet krijimit të Gjykatës Komerciale, si një adresë e vetme për të gjitha kontestet e komunitetit të biznesit.”, thuhet në deklaratë

Për më shumë, në deklaratë theksohet se parimi i sigurisë juridike nënkupton që korniza dhe garancitë ligjore të mos pësojnë ndryshime të shpeshta; të jenë të nevojshme dhe të bazuara në evidencë; si dhe të derivojnë nga procese konsultative me të gjitha palët e interesit.

“Njëherësh, çfarëdo largimi i kompetencave nga Gjykata Komerciale, do të ndikonte negativisht dhe do shpërfillte angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë në fuqizimin e mekanizmave të drejtësisë komerciale, si dhe në kontekst të përmirësimit të perceptimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë.”, vijon deklarata

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 i kërkon Komisionit Parlamentar për Legjislacion që të shqyrtojë me kujdes shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe të angazhohet per nje dialog konstruktiv për t’i trajtuar këto çështje në mënyrë efektive./21Media

Back to top button