Marrëveshja për Shërbime të Transportit Ajror u propozua nga Britania

Lekaj e cilëson këtë marrëveshje si lehtësim për transportin ajror

Sot në mbledhjen  e parë të Qeverisë së Kosovës për këtë vit, u aprovua edhe  Nisma për Lidhjen e Marrëveshjes për Shërbime të Transportit Ajror në mes Kosovës dhe Mbretërisë së së Bashkuar të Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.

Lidhur me këtë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj deklaroi se marrëveshja me Britaninë e Madhe është propozuar nga Britania për shkak të daljes së kësaj të fundit nga BE.

Ai po ashtu potencoi se kjo marrëveshje do ta lehtësojë transportin ajror ndërmjet dy vendeve,  ku siç ka shkruar Lekaj brenda një viti udhëtojnë mbi 20 mijë qytetarë.

“Kjo fushë e transportit ajror ka qenë e mbuluar nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët të Aviacionit Evropian (ECAA), pjesë e së cilës është edhe Kosova, ndërsa me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja dispozitat e kësaj marrëveshje pushojnë së ekzistuari për të.

Prandaj është e nevojshme që transporti ajror të rregullohet në mënyrë bilaterale ashtu siç parashihet me Konventën Ndërkombëtare për Aviacionin Civil (Konventa e Çikagos).”, ka shkruar Lekaj në Facebook./21Media

Back to top button