Marrëveshjen me MCC-në e nënshkroi vajza e Albright, Kurti publikon dokumentin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si ngjarje historike nënshkrimin e marrëveshjes për Programin Kompakt në vlerë përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.
Ai në Facebook ka publikuar fotografi të dokumentit të marrëveshjes. Po ashtu ka njoftuar se kjo është nënshrkuar nga nga Alice Albright, vajza e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti.
“Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Ëashington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright.”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se kjo marrëveshje është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë.
“Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik.
Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.“, ka shkruar Kurti./21Media

Back to top button