Marrëveshjet e reja Kinë-Rusi sjellin “epokë të re” në partneritet

Presidenti kinez, Xi Jining dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë nënshkruar një mori dokumentesh për “bashkëpunim strategjik” në mes të Pekinit dhe Moskës, pas takimeve në Kremlin, që Putin i ka përshkruar si “të suksesshme dhe konstruktive”.

Xi ka thënë se një prej marrëveshjeve që ai e ka nënshkruar me Putinin, do të rezultojë me “epoke të re” bashkëpunimi.

“Ne e kemi nënshkruar një deklaratë për thellim të partneritetit strategjik dhe lidhjeve bilaterale, duke hyrë kështu në epokë të re”, ka thënë ai, pas takimit me Putinin, më 21 mars.

Televizioni shtetëror rus e ka transmetuar ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në Kremlin, në ditën e dytë të vizitës treditore të Xi-së në kryeqytetin rus.

Xi i ka lavdëruar “bisedimet konstruktive” që ka pasur me Putinin, duke iu referuar zgjerimit të bashkëpunimit për tregti dhe ekonomi me Rusinë, duke përfshirë eksportimin e më shumë mallrave elektronike kineze.

Putin ka thënë se është arritur pajtueshmëri për dërgim të gazit shtesë në Kinë dhe se të dyja shtetet mëtojnë të zgjerojnë lidhjet e transportit përmes ndërtimit të rrugëve dhe urave.

Lidhjet në mes të Rusisë dhe Kinës “nuk nënkuptojnë bllok. Nuk janë të një natyre konfrontuese dhe nuk janë të drejtuara kundër shteteve të treta”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Për luftën në Ukrainë, Xi ka thënë se Pekini përkrah zgjidhje diplomatike për konfliktin.

“Ne drejtohemi nga parimet e Kombeve të Bashkuara… dhe promovojmë një zgjidhje paqësore”, për luftën në Ukrainë, ka thënë Xi.

“Ne jemi gjithmonë për paqe dhe dialog”, ka thënë ai, duke ritheksuar “pozicionin neutral” për Ukrainën.

Shtetet e Perëndimit e kanë hedhur poshtë propozimin 12-pikësh të Kinës për uljen e tensioneve, sepse, sipas tyre, e favorizon qëndrimin e Rusisë.

Putin ka thënë se propozimi i Kinës mund të përdoret si bazë për paqe në Ukrainë, mirëpo ka thënë se shtetet e Perëndimit dhe Kievi nuk janë gati që ta pranojnë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Back to top button