​Marshi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hoxha: Të gjithë kemi arsye për pjesëmarrje

Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në “Marshin për drejtësi”, i cili do të mbahet nesër më 2 prill nga ora 14:00. Ky marsh mbahet në vigjilje të nisjes së gjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimit të cilët akuzohen për krime të supozuara lufte.

Në fjalën e saj, Hoxha bëri thirrje që të gjithë së bashku të marshojnë për ata që dikur marshuan drejt lirisë.

“E vërteta e luftës së UÇK-së është e vërteta e secilit prej nesh është e vërteta e shtetit të Kosovës. Për historinë që nuk mund të rishkruhet… Kjo mbështetje e pa rezervë tregon peshën dhe nevojën për të dalë në mbrojtje të historisë sonë të lavdishme e cila sot është e rrezikuar nga interpretimet e reja. Ne besojmë në drejtësinë e alternativë me shpresën që asnjëherë nuk do të instrumentalizohet nga politika”, deklaroi Hoxha.

Ndërkaq, Ismail Tasholli tha se e vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit tonë, është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.

“E kemi për mision e qëllim qytetar, që dinjitetin dhe të drejtën tonë ta mbrojmë me përkushtim, Në këtë rast, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trashëgiminë e saj historike dhe luftën tonë heroike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të imponuar dhe të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës dhe për lirinë e vendit tonë. Këtë të vërtetë duhet ta ruajmë gjithë, sepse është një e vërtetë e çdonjërit. Është e vërteta e Kosovës së djeshme, e të sotmes dhe e Kosovës të së nesërmes”, tha Tasholli.

Mbështetje për këtë mars kanë dhënë pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Mirëpo, në njoftimin për mbështetjen për këtë marsh, partia në pushtet shmangi përmendjen e emrave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit duke u fokusuar vetëm të zyrtari i kësaj partie, Rexhep Selimi.

Hoxha refuzoi të hyjë në polemika për këtë çështje duke thënë se platforma “Liria ka Emër” ka si koncept gjithëpërfshirjen dhe të gjithë janë të ftuar në marsh, qoftë edhe vetëm për një emër apo arsye.

“Besoj që të gjithë kemi arsye për të dalë në marsh, ne kemi pasur gjithëpërfshirjen si koncept dhe vazhdojmë ta mbajmë si të tillë, por njerëzit mund të vijnë edhe vetëm për një arsye, ose për një emër, ose për shumë emra, sepse liria ka shumë emra dhe tani nuk dua të ndalem në cilësime të përveçme, për ne është shumë e rëndësishme që ne të përçojmë dashuri e solidarizim me krerët e UÇK, secili le ta sheh nga prizmi i vetë”, përfundoi Hoxha.

Hoxha falënderoi të gjitha kategoritë e shoqërisë, të cilat e kanë mbështetur realizimin e këtij marshi dhe janë solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.

“Marshi për drejtësi” që mbahet në Prishtinë në ora 14:00 do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar drejt sheshit “Skënderbeu”. Në këtë pikë do të mbahen edhe fjalimet. Për të gjithë qytetarët nga qytetet e tjera ka transport të organizuar drejt kryeqytetit.

Back to top button