Martohet fituesja e çmimit Nobel për Paqen
Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai është martuar me partnerin e saj në një ceremoni islamike në Birmingham.
Aktivistja 24-vjeçare tha se ishte “një ditë e çmuar” në jetën e saj.
Aktivistja pakistaneze për të drejtat e grave gjeti strehim në West Midlands pasi u qëllua në kokë nga talebanët në vitin 2012.
“Asser dhe unë u martuam për të qenë partnerë për jetën”, shkroi ajo në Twitter të martën, duke treguar se si ata kanë përgatitur një “ceremoni të vogël martesore me familjen”, transmeton rtv21.tv.
Malala, tani 24 vjeçe, ishte 15 vjeç kur u vu në shënjestër nga talebanët në Pakistan kur foli për të drejtat e vajzave për t’u arsimuar.
Ajo i mbijetoi sulmit, në të cilin një militant hipi në autobusin e saj të shkollës në luginën veriperëndimore Sëat dhe hapi zjarr, duke plagosur dy nga shoqet e saj të shkollës si dhe atë.
Pasi u shërua nga plagët e saj gati fatale, ajo dhe familja e saj u zhvendosën në Birmingham, të cilin më vonë e quajti “një shtëpi e dytë”.
Në moshën 17-vjeçare, ajo u bë personi më i ri që fitoi Çmimin Nobel për Paqen. Ajo vazhdoi të studionte në Universitetin e Oksfordit dhe është bërë një aktiviste kryesore për të drejtat e njeriut.
Që nga diplomimi, Malala ka bërë thirrje për mbështetje më të mirë për refugjatët afganë , nënshkroi një kontratë me Apple TV+ për të prodhuar dokumentarë dhe u shfaq në kopertinën e British Vogue , duke vazhduar punën e saj për të përmirësuar aksesin e vajzave në arsim.
Edhe pse nuk është një kontratë ligjërisht e detyrueshme, një ceremoni nikkah është hapi i parë në një martesë islame.
Lajmi i ceremonisë është pëlqyer me dhjetëra mijëra herë nga fansat në internet, ku mijëra kanë uruar çiftin./21Media