Refuzohet kërkesa e Trumpit për të bllokuar dokumentet

Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara vendosi që komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kongres, mund të ketë qasje në disa nga të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të kohës së ish-presidentit Donald Trump.
Trump ka argumentuar se materialet i mbulon privilegji ekzekutiv, i cili mbron konfidencialitetin e disa komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë.
Hetimi po përpiqet të zbulojë nëse Trump kishte njohuri paraprake për trazirat, transmeton rtv21.tv.
Vendimi erdhi në ditën kur 10 ndihmësve të Trump iu dhanë thirrje ligjore për të dëshmuar para ligjvënësve.
Qindra mbështetës të Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit dhe ndërprenë certifikimin zyrtar të fitores zgjedhore të presidentit, Joe Biden më 6 janar të këtij viti.
Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve dëshiron të shohë një grumbull të dhënash telefonike, regjistrat e vizitorëve dhe dokumente të tjera të Shtëpisë së Bardhë që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet që çuan në sulmin ndaj Kongresit.
Ish-presidenti kishte kërkuar një urdhër për mbajtjen e dokumenteve të fshehta. Por gjykatësja e qarkut amerikan Tanya Chutkan vendosi të martën se Arkivi Kombëtar, agjencia federale që mban të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të Trump, duhet të përmbushë kërkesën e panelit.
16 nga ndihmësit më të afërt të Trump janë thirrur në dy ditët e fundit.
Trazirat kanë lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një zyrtar të policisë. Së paku 535 protestues janë arrestuar, por, deri më tani, janë shqiptuar vetëm disa dënime./21Media

Back to top button