Masakra në Studime, Kurti: Asnjë hetim, veç heshtje

23 vjet më parë, 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra, u vranë nga forcat serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë.
“Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të organizuar në 23- vjetorin e masakrës në Studime.
Njëri prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë UÇK-së nuk kanë mundur. Ai ka treguar se si ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tre ditë rresht.
Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër e bën këtë masakër edhe më të rëndë, ka thënë Kurti, teksa ka shtuar se ajo që rëndon edhe më tepër, është që sot, 23 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për këtë masakër.
“Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Veç heshtje”, u shpreh kryeministri Kurti.
“Në anën tjetër luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale”, ka shtuar ai.
Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asambleistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë, ka thënë në përmbyllje të fjalës Kurti.
Kryeministri ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në Kompleksin Memorial ku janë të varrosur viktimat e masakrës në ​Studime./21Media

Back to top button