Masat e reja, shkollat synohet të mbahen hapur

Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike ka rekomanduar masat e reja anti-COVID. T
Ende s’janë bërë të ditura të gjitha rekomandimet, por siç tha ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi synohet që shkollat në vend të mbesin të hapura.
Pas takimit të Komitetit për koordinim, ministri Latifi bëri të ditur se kanë diskutuar që lokalet të mbyllen në orën 22:00.
Ai tha se rekomandimet pritet t’i dërgohen Qeverisë sot në mbrëmje apo nesër në mëngjes. Sipas Latifit, Kosova qëndron më mirë sesa vendet e rajonit.
Varianti i ri i virusit Corona kërkon përditësim të masave bazuar në të dhëna, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.
Nga ky takim u bë thirrje për qytetarët, që të mos nënvlerësohet varianti Omicron.
“Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese”, tha Kurti.
Në Kosovë vetëm dje janë shënuar 2,050 raste të reja me Covid-19, kurse një ditë më parë ishin 720 raste të reja. Në 24 orët e fundit janë dhënë 5.348 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.728.214 doza të vaksinës.
Deri më sot 798.225 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Ndërsa deri më sot janë dhënë 40.561 doza përforcuese dhe 2.191 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19./21Media

Back to top button