MASHTI tregon rastet kur shkollat kalojnë në mësim online

 
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një komunikate për medie, kanë thënë se shkollat duhet t’i mbajmë të hapura dhe të sigurta.
Me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, procesi edukativo –arsimor në institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve zhvillohet sipas Udhëzuesit të MASHTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19, me obligimin që të respektohen masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKSHPK.
Në  komunikatë thuhet se udhëzuesi për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla.
Tutje në komunikatë thuhet se vendimin për aplikimin e skenarit më të përshtatshëm e merr task forca e shkollës. “Brenda një shkolle mund të aplikohet më shumë se një skenar, pra disa klasë mund të punojnë me prezencë fizike dhe orar të plotë (Skenari i Rikthimit), ndërsa ndonjë klasë tjetër online (Skenari C)”, thuhet në komunikatë.
Task Forca në nivel të MASHTI, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2021, nxorri rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste:
•​Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase;
•​Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19;
•​Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike.
Tutje bëhet e ditur se “në çdo situatë duhet marrë parasysh faktin se mësimi online nuk është zëvendësim për mësimin me prezencë fizike, gjë që vlen, në veçanti, për fëmijët e moshave të vogla”.

Në rast nevoje për organizimin e mësimit online mund të shërbejnë video-mësimet që emetohen në RTK4 çdo ditë pune prej 9-16 h, sipas orarit të hartuar nga MASHTI.
Po ashtu, për mësimin online shkollat mund të shfrytëzojnë platformën zyrtare wwws.shkollat.org,por edhe platformat tjera që janë në dispozicion si: Zoom, eShkollori, Google Meet, etj.
Në institucionet e arsimit të lartë, mësimi mund të organizohet me prezencë fizike me kusht që grupet me mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.
“MASHTI rithekson rëndësinë e respektimit të masave mbrojtëse të përcaktuara me legjislacion dhe vendime të organeve kompetente. Në kohën e sotme, mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është vaksinimi, prandaj ftojmë të gjithë nxënësit e moshës 12 vjeç e më lartë, studentët,  mësimdhënësit dhe familjarët e tyre të vaksinohen, sepse kështu sigurojmë që institucionet arsimore të mbeten të hapura dhe ruajmë shëndetin publik”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit./21Media
Back to top button