MASHTI vendos për kompensimin e orëve të humbura

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sot ka nxjerrë vendim për plotësim-ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023, sipas të cilit do të zëvendësohen 22 ditët e pambajtura të mësimit për shkak të grevës në shtator.

Në njoftimin e MASHTI-t është bërë e ditur se tetë ditë të mësimit të pambajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas udhëzimit administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim:
Në tetor 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;
-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;
-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;
-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.
MASHTI ka informuar se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit para-universitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërsa, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit para-universitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.
Gjysmëvjetori i dytë do të fillojë me datë 06.02.2023. Në pesë ditë të planifikuara të pushimit pranveror sipas UA-05/2022, do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar.
Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë do të jetë si në vijim:
-Për klasën e 12-të (maturantë)përfundon më datë 05.06.2023;
-Për klasat 9,10 dhe 11 përfundon me datë 27.06.2023;
-Për parafillor dhe klasat 1-8 përfundon më datë 30.06.2023
Institucionet e arsimit para-universitar të cilat kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 janë të obliguara që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit të përcaktuara me UA-05/2022.
Institucionet e arsimit para-universitar, të cilat kanë filluar mësimin më 1 shtator, vazhdojnë punën sipas UA-05/2022.
Mësimdhënësit që kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 obligohen që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës në mënyrë që gjysmëvjetori i dytë të fillojë më datën 06.02.2023.
Institucionet e arsimit parauniversitar duhet të njoftojnë DKA-të për planifikimin e ditëve të mësimit.
Zbatimin e këtij vendimi do ta mbikëqyrë Inspektorati i arsimit.
MASHTI ka shprehur bindjen se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe do të dalin pagat për muajin tetor.

Back to top button