Mbërriti kontingjenti i parë i vaksinave të blera nga Qeveria

Sot ka mbërritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19 të Pfizer/BioNTech, nga kontrata e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Pfizer.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga grupet prioritare, që janë vaksinuar javët paraprake, pra fillimisht punëtorët shëndetësor, grup-mosha mbi 65 vjeç, më 15 qershor ka filluar zbatimin e planit të ri të vaksinimit në masë, që zgjeron kategoritë për vaksinim, qytetarët me sëmundje kronike pa dallim moshe, mësimdhënësit, forcat e rendit dhe pjesëtarët e FSK-së, të përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e pandemisë.
Me ardhjen e dozave të para nga kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë me Pfizer, vaksinimi në masë sipas një komunikate për media nga MSh do të shtrihet edhe te kategoritë e tjera të popullatës deri në arritjen e objektivit për imunizimin aktiv të 60% të qytetarëve brenda vitit 2021.
“Këto vaksina do të ndihmojnë edhe më shumë punëtorët tanë shëndetësor, të cilët kanë qenë në ballë të betejës kundër pandemisë COVID-19 që nga dita e parë. Duke qenë se pandemia nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët shëndetësor kanë vënë prioritet vaksinimin në masë, për të siguruar kështu funksionimin normal të veprimtarive shoqërore që mundësojnë kthimin në një normalitet social dhe ekonomik për qytetarët dhe bizneset në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Deri më tani në Kosovë janë vaksinuar 160 mijë e 410 persona, ku 32 mijë e 975 kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit./21Media

Back to top button