“Mbi 1 miliard euro për zbatimin e Pakos për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë së re”

Mandatari për formimin e qeverisë, Avdullah Hoti sot ka deklaruar se mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë së re.

Hoti ka bërë të ditur se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, sipas tij, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.

“Në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar.”, ka shkruar Hoti në facebook.

Në zbatimin e masave të kësaj pakoje, siç ka njoftuar Hoti, do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës.

“Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re. Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës.”, ka shkruar më tutje Hoti./21Media

Back to top button