Mbi 1000 profesionistë shëndetësorë që dy muaj pa paga, MSh flet për RTV21

Mbi 1 mijë profesionistë, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, që dy muaj nuk kanë marrë paga. Këtë e bëri të ditur sot ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një postimi në “Facebook”.
Zemaj i cili tani është anëtar në Komisionin parlamentar për Shëndetësi akuzoi Qeverinë dhe MSh-në se po i injoron mijëra veta që kanë punuar e s’janë paguar për muajin mars dhe prill.
“Edhe përkundër faktit që gjithsecili punon me përkushtim dhe zell dhe pa asnjë benefit dhe ditë pushimi, vazhdojnë të injorohen nga shteti që nënkupton Qeveria dhe MSH”, shkroi Zemaj në Facebook.
Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për portalin rtv21.tv tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave janë duke bërë përpjekje që të kryhen pagesat.
“Msh dhe Ministria e Financave janë duke e trajtuar çështjen që ka të bëjë me pagesën e punonjesve të angazhuar si staf për ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe janë duke bërë përpjekje që të kryhen pagesat. Përfaqësuesit e këtij stafi janë informuar javën që shkoi ne takim në MSh për këtë çështje dhe në ditët në vijim do të informohen për hapat më tej”, thuhet në përgjigjen e MSh-së./21Media

Back to top button