Mbi 138 mijë vaksina të aplikuara në Kosovë

 
Mbi 250 persona janë vaksinuar kundër COVID-19 në paraditen e sotme në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, kurse në nivel vendi sot kanë marrë vaksinën mbi 3.500 persona. Këtë e bëri të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, i cili tha se nga dita e parë e vaksinimit dhe deri më tani janë dhënë mbi 138 mijë vaksina.
“Siç po shihni vaksinimi në sallën “1 Tetori” dhe në nivel vendi është duke vazhduar, aktualisht deri në këto çaste që ne flasim në sallën “1 Tetori”, janë të vaksinuar mbi 250 persona, ndërsa në nivel vendi deri më tani janë të vaksinuar mbi 3500 persona, ndërsa nga dita e parë e vaksinimit deri tani kemi mbi 138 mijë vaksina të aplikuara”, tha ai.
Ai e ripërsëriti se mënyra e aplikimit bëhet përmes aplikacionit E-Kosova.
“Siç e dini mënyra e aplikimit bëhet në mënyrën E-Kosova, e cila nuk menaxhohet nga ne por nga personat që e shikojnë atë proces. Në momentin që atyre iu procedohet termini për t’u vaksinuar, normalisht që edhe ne e shohim këtu në sistemin tonë që e kemi të teknologjisë dhe me automatizëm ai e merr vaksinën, ndërsa ata persona që kanë aplikuar dhe ende nuk kanë marrë vaksinën por që nuk është caktuar termini, normal që kanë atë ndjenjën e pakënaqësisë sepse ne këtu nuk arrijmë t’i shohim në sistem dhe jemi të detyruar t’i themi deri në momentin kur kemi konfirmimin zyrtarë deri në kohen dhe ditën që ka për të marrë vaksinën”, tha ai.
Sipas Bardhit, ndalimi i terminit i bëhet grupmoshave mbi 65 vjeç, të sëmurëve kronik, anëtarët e Policisë së Kosovës, FSK-së dhe mësimdhënësi.
“Po ashtu kemi edhe një përballje tjetër ku shumica e qytetareve po tentojnë të vijnë vetëm në mënyrën e aplikimit e cila po na paraqet shumë problem sepse duhet t’i sqarojmë gjërat nga fillimi. Veç kësaj unë edhe një herë apelojë te të gjithë qytetarët pa dallim duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova dhe mbi bazën e konfirmimit dhe ndarjes së terminit duhet t’i takojnë grupomoshës mbi 65 vjeç, nëse i referohemi të sëmurëve kronik të dëshmojnë për sëmundjen që kanë pas dhe vazhdojnë ta kenë dhe në grupin e tretë hyjnë të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të FSK-së dhe mësimdhënësit. Janë këto tri lloj të kategorive që pa asnjë problem mund të vaksinohen.”, tha ai.
Ndërkohë, sipas IKShPK-së, në 24 orët e fundit kundër COVID-19 janë të vaksinuar rreth 965 persona.

Back to top button