Mbi 16 mijë qytetarë të Shtimes të vaksinuar kundër COVID-19

Rreth 40% e qytetarëve të komunës së Shtimes kanë marrë dozën e parë të vaksinës antiCOVID, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë marrë edhe të dytën.
U.d. së drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime, Arbresha Syla në një intervistë për Kp tha se krahas rritjes së interesimit të qytetarëve për vaksinim, edhe menaxhimi i pandemisë po shkon shumë mirë.
“Kohëve të fundit, me ardhjen e vaksinave, kemi rritje të numrit të qytetarëve që dëshirojnë të vaksinohen. Deri më tani në komunën tonë janë vaksinuar mbi 6 mijë persona me dozën e dytë të vaksinës dhe mbi 10 mijë persona me dozën e parë. Do të thotë në total janë dhënë mbi 16 mijë vaksina në kuadër të komunës tonë. Marrë në përqindje mendojmë që kemi arritur mbi 40 përqind të qytetarëve t’i nënshtrohen dozës së parë të vaksinimit, rrjedhimisht të gjithë ata do të vijnë të marrin dozën e dytë dhe do të shkojnë drejt përmirësimit të situatës me virus”, tha ajo.
Syla tha se në qendrën e vaksinimit në Shtime zakonisht brenda një dite vaksinohen 250 – 300 qytetarë.
“Duke u bazuar në planin shtetëror të vaksinimit, si komunë kemi diku rreth 300 termine të lira që qytetarët mund t’i shfrytëzojnë për vaksinim. Zakonisht, në terminet kushtuar komunës tonë, 250 – 300 është mesatarja ditore e të vaksinuarve në komunën tonë”, u shpreh ajo.
Në anën tjetër, ajo tregoi se ka rënë numri i rasteve pozitive me COVID në këtë komunë. Ndërsa, bëri të ditur se qëndrojnë mirë edhe sa i përket furnizimit me terapi, duke qenë siç tha ajo, QKMF-ja regjionale që qëndron më së miri në këtë aspekt.
“Menaxhimi i pandemisë në komunën e Shtimes është duke shkuar në rregull, sipas planit. Për fat, këtyre ditëve kemi një numër të zvogëluar të rasteve… Në përgjithësi, situata është e qetë dhe pacientët me COVID janë në gjendje më të mirë shëndetësore”, tha ajo.
Doktoresha Arbersha Syla foli edhe sa i përket zbatimit të masave në QKMF. Thotë se është ngritur vetëdija e qytetarëve për rëndësinë e zbatimit të masave antiCOVID.
“Pacientët që vijnë në QKMF zakonisht respektojnë masat, respektojnë distancën. Mundohemi që si institucion t’i tërheqim vërejtjen në rastet kur nuk mbajnë maskën ose distancën. Si institucion mundemi me deklaru që i kemi diku 95 përqind të stafit të vaksinuar dhe mundohemi që të ngrisim vetëdijen edhe te pacientët që të vaksinohen, të mbajnë maskat, distancën, higjienën për arsye se i kontribuon shumë shëndetit të tyre dhe kontribuon që këtë pandemi ta zhdukim njëherë e përgjithmonë”, shtoi ajo.
Për fund, Syla deklaroi se momentalisht kanë kapacitete të mjaftueshme, teksa shtoi se janë në fazën e rekrutimit të stafit mjekësor./kp

Back to top button