Policia jep detaje për sulmin në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot në mëngjes ka pranuar informata se në ndërtesën ”Intel”, në Zveçan, ku ndodhet edhe Qendra e Regjistrimit është thyer dera.
Siç është informuar, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti patrullues nga (SP) Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku kanë konstatuar se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës si dhe gjithashtu brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur.
”Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili cilësoi rastet si vepra penale “Posedim, kontrollim i pa autorizuar i armëve” dhe ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, është bërë e ditur në postimin e Policisë.
Ndërkaq, lidhur me rastin hetimet janë duke vazhduar ende.
Ndryshe, rreth orës 01:00 pas mesnate është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.
Lidhur me këtë sulm, ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka deklaruar se fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar./21Media

Back to top button