Mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 euro

Qeveria e Kosovës deri më tani ka pranuar mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat.
Këtë e ka bërë të ditur për rtv21.tv Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. Ai ka treguar se aplikimi vazhdon të jetë i hapur deri më 20 maj.
Kryeziu ka thënë tutje se javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve, kurse këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve.
“Pas verifikimit do të fillojmë ekzekutimin e tyre. Po punojmë që kjo të ndodhë sa më parë”, ka thënë ai.
Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shtesë. Sipas kryeministrit, nga kjo ndihmë do të përfitojnë 800 mijë qytetarë të Kosovës./21Media

Back to top button