Mbi 50 persona të vdekur nga reshjet e shiut në Brazil

Të paktën 56 persona kanë vdekur në shtetin verilindor të Brazilit, Pernambuco, si pasojë e shirave të dendur gjatë fundjavës, sipas forcave të mbrojtjes civile të shtetit.
56 persona të tjerë janë të zhdukur dhe të paktën 25 janë lënduar, ka deklaruar të dielën Ministri i Zhvillimit Rajonal i Brazilit, Daniel Ferreira, i cili ka shtuar se më shumë se 3,900 njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre.
Disa nga vdekjet janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut në zonën më të madhe të Recife, ka informuar mbrojtja civile e Pernambucos, e cila u ka kërkuar banorëve që jetojnë në zona me rrezik të lartë të kërkojnë strehim diku tjetër.
Në vetë qytetin e Recife, shkollat ​​janë hapur për të strehuar familjet e zhvendosura.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka deklaruar se ushtria braziliane do të ndihmojë të prekurit dhe se ai personalisht do të udhëtojë në Recife të hënën për të vlerësuar situatën, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Verilindja e Brazilit ka vuajtur nga vëllime jashtëzakonisht të larta të shiut, kanë thënë zyrtarët. Disa zona kanë regjistruar më shumë reshje shiu në 24 orët e fundit sesa vëllimi i përgjithshëm i parashikuar për muajin maj.
Shiu ekstrem e ka goditur Brazilin vazhdimisht në muajt e fundit. Në dhjetor, reshjet kanë shkaktuar shpërthyerjen e dy digave në shtetin e afërt Bahia, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve./21Media

Back to top button