Kurti reagon pas marrëveshjes Vuçiq-Putin, përmend bisedën për Veriun

Kryeministri Albin Kurti, sonte ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes së re për furnizim me gaz nga Rusia, mes Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin.
Përmes një shkrimi në Twitter, Kurti ka theksuar se marrëveshjet midis Putit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike.
Kryeministri ka kujtuar edhe deklaratën e Vuçiqit pas takimit me Putinin në vitin 2021.
“Ata as nuk kanë nevojë të takohen më: marrëveshjet midis Putin dhe Vuçiq tani arrihen përmes bisedave telefonike. Por ja çfarë tha Vuçiq në lidhje me Kosovën pas takimit të tij të 19-të me Putin në Sochi më 25 nëntor 2021”, ka shkruar Kurti.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq atëherë kishte thënë: “Fola për standarde të dyfishta dhe hipokrizinë e shpeshtë në marrëdhënie ndërkombëtare, presidenti Putin e kupton për çfarë po flas, por ai kërkoi nga unë për shpjegime të mëtutjeshme andaj ne folëm për veriun e Kosovës dhe ia tregova atë edhe në hartë”.
Ndryshe, Rusia ka rënë dakord të vazhdojë furnizimin me gaz natyror të pandërprerë për Serbinë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti. Kjo erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin u takua të dielën me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq./21Media

Back to top button