Mbillet “Pema Olimpike” në oborrin e Klinikës së Onkologjisë

 

“Pema olimpike 2021” është mbjellë sot në oborrin Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), respektivisht tek Klinika e Onkologjisë.

Mbjellja e pemës u bë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me organizatën ta “Pastrojmë Kosovën”, për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit, kjo me qëllimin që të kontribuohet në një ambient më të pastër.

Me këtë rast, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se përgjatë 10 viteve të ardhshme do të mbillen gjithsej 1.8 milionë drunjë.

“Jemi mbledhur sot këtu në hapësirën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të shënuar një ditë të veçantë për sportin dhe ambientin, aktivitet të cilin po e organizojmë bashkërisht me organizatën ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, me të cilin kemi një qëllim të përbashkët, për të mbjell 1.8 milionë drunjë brenda 10 viteve te ardhshme. Jo rastësisht kemi zgjedhur këtë vend sepse pikërisht QKUK është bërë streha e shërimit e atyre që e luftuan virusin e padukshëm, pandeminë Covid-19, të cilin bashkërisht me heronjtë tanë, mjekët, jemi në rrugë të mbarë për ta mposhtur. Andaj, ky mjedis dhe shumë ambiente të tjera nëpër Kosovë meritojnë të gjelbërohen dhe të përkujdesemi për ruajtjen dhe zhvillimin e tyre. Sot do të mbjellim ‘Pemën Olimpike’, në mënyrë që bashkërisht të përçojmë mesazh për të ruajtur ambientin tonë të pastër, të sigurt dhe të shëndetshëm, e sidomos në vende të ndjeshme siç është QKUK”, tha Krasniqi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) Valbon Krasniqi, kërkoi që të ketë sa më shumë vëmendje sa i përket ruajtjes së ambientit, meqë sic tha ai është investimi më i mirë për shëndetin e njeriut.

“Ne të gjithë para se gjithash, si punëtorë shëndetësor e dimë rëndësinë dhe ndikimin që ka ambienti në shëndetin e popullatës. Prandaj, investimi, ruajtja, kujdesi ndaj ambientit është ndikim direkt në shëndetin tonë. Një kujdes ndaj ambientit, do të na e kthej ambienti këtë të mirë për shëndetin tonë, për shëndetin e qytetarëve. Në këtë ditë ndërkombëtare të mjedisit dhe sportit, është një përzgjedhje mjaft e qëlluar e Komitetit Olimpik dhe organizatave tjera që kanë zgjedh pikërisht Qendrën Klinike Universitare për të përcjell këtë mesazh tek qytetaret tanë”, tha Krasniqi.

Kurse drejtori i Spitalit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, u zotua që “Pemën Olimpike” do ta ruajnë si simbol të jashtëzakonshëm të klinikës.

“Faleminderit shumë, neve na keni nderu, dhe ne do ta ruajmë këtë Pemë Olimpike si një simbol, si një diçka të jashtëzakonshme për klinikën tonë, si një diçka që ne duhet ta promovojmë, duhet ta promovojmë shëndetin në mënyrë që të kemi sa më shumë hapësira të gjelbëruara sidomos në Prishtine, në qytetin tonë të dashur ku vazhdimisht po ngulfatemi”, tha Kurtishi.

Aktivitetet sikurse kjo do të bëhen në vazhdimësi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Kështu u shpreh drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Sportit, Fitim Arifi.

“Ju përgëzoj për iniciativën e tillë, që pikërisht keni gjetur Qendrën Klinike Universitare të shënohet kjo ditë, sepse sporti dhe mjedisi kanë një lidhje jashtëzakonisht të madhe për shëndetin e njeriut. Edhe njëherë iu përgëzoi për iniciativa të tilla dhe jeni në përkrahje të Departamentit të Sportit dhe Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport”, tha Arifi.

Pjesëmarrës gjatë këtij aktiviteti ishin edhe përfaqësues i “Marakli t’Biciklave”.

Back to top button