Mbrojtja e Krivaqës dhe Sejdiut kërkojnë hudhjen e aktakuzës për vrasjen e Marigona Osmanit
Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiut përmes avokatëve të tyre kanë kundërshtuar provat dhe aktakuzën në rastin në të cilin po akzuohet për vrasjen e Marigona Osmanit.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Gentiana Hoxha, zyrtare në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
“Ju njoftoj se mbrojtësit e të akuzuarve D.K. dhe A.S, në Gjykatën Themelore në Ferizaj kanë parashtruar kërkesë për hudhjen e aktaktuzës, e cila kërkesë është parashtruar brenda afateve ligjore”, ka thënë Hoxha për rtv21.tv.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 korrik, Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, u deklarua i pafajshëm, lidhur me akuzat që iu vihen në barrë.
Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura./21Media