​Mbrojtja e Shalës i paraqet disa fotografi dëshmitarit të shtatë

(Lajm i përditësuar)


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon gjykimi kundër Pjetër Shalës, me intervistimin e dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Gjatë kësaj seance, mbrojtja e të akuzuarit i ka shfaqur disa fotografi për dëshmitarin, por të njëjtat nuk janë bërë publike.

Sipas avokatit Mohamed Hédi Aouini, bëhet fjalë për fotografi të disa personave për të cilët dëshmitari më parë kishte deklaruar se nuk i njeh.

Ndërsa sot dëshmitari ka thënë se në njërën prej fotografive është një person të cilin e njeh, por më parë sipas tij, nuk ka arritur ta identifikojë.

Video 13.49

Avokati Aouini: A konfirmoni që nuk e keni njohur këtë person kur ju është treguar kjo fotografi më përpara, jo sot, por në atë momentin që nuk duhet ta përmendim?

Kryegjykatësja Veldt Foglia: Propozoj që t’i bëhen këto pyetje dëshmitarit, a mund të komentoni pse nuk e keni njohur këtë person në këtë fotografi atëherë

Dëshmitari: Kam qenë edhe sëmurë nga sytë, dhe jam ende sëmurë, nuk kam pasur syze dhe nuk i kam vërejtur fort, unë që dy vjet kam fillu me syze, i kam dy palë, edhe të leximit edhe kështu, mu tash mu kujtu dhe prap po them se mua po më përngjan shumë në personin që ka qenë palë e dëmtuar, se ka qenë në dhomën time. Nuk do të thotë që nuk e kam njohur sot e të nesërmen po e njoh, se kokën e kam goxha të ngarkuar.

Dëshmitari: Syzet që mi ka dhënë mjeku I kam për bazë nervore kur jam nervoz duhet me i mbajt, i mbaj dy tre orë deri të qetësohet truni, shoh më mirë, atëherë i heq, se nuk mund t’i mbaj rregullisht sepse i kam prej mjekut, sepse ndikon në sy, në bazë nervore, në pamje.

Avokati Aouini: Dëshmitari kur ju përgjigj asaj pyetje, nuk i kishte vënë syzet, kaq kisha për të thënë.

Seanca është zhvilluar publike vetëm në këtë pjesë, pjesa më e madhe e saj ka vijuar e mbyllur për publikun.

Pjetër Shala i cili po qëndron në paraburgim prej marsit të vitit 2021, po merr pjesë në seancë përmes video-lidhjes.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.


​Vazhdon gjykimi kundër Shalës, dëshmitari i shtatë intervistohet në seancë private

Në Gjykatën Speciale po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në rastin kundër Pjetër Shalës. Kjo është dita e katërt e dëshmisë së tij para trupit gjykues në Hagë.

Intervistimi i tij nga mbrojtja e Shalës po zhvillohet në seancë private ndërsa pritet të përfundojë deri në fund të ditës.

Njësoj sikur edhe gjashtë të tjerët, dëshmitari i shtatë, i cili mban kodin 1, është i mbrojtur dhe dëshmia e tij është dhënë kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.

Pjetër Shala, i cili po qëndron në paraburgim prej marsit të vitit 2021, kishte kërkuar nga trupi gjykues që seancat të mbahen publike meqë po përdoren masa mbrojtëse për dëshmitarët.

Në anën tjetër, trupi gjykues ka theksuar se pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, transkripti i dëshmisë së tij do të rishikohet dhe do të bëhet publik.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Back to top button