KEDS brenda 5 muajve kryen afër 40 mijë kontrolle të keqpërdorimeve të energjisë elektrike

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka intensifikuar aksionet për kontrolle të keqpërdorimeve të energjisë elektrike.

KEDS ka njoftuar se për periudhën janar-maj të këtij viti janë realizuar afër 40,000 kontrolle dhe janë identifikuar afër 2900 keqpërdorime. “Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur humbjet në rrjet ishin 18,2%, këtë pesë-mujor humbjet kanë rënë në 16,7%”.

Tutje në njoftim thuhet se vetëm javën e kaluar janë realizuar afër 2000 kontrolle, prej të cilave rreth 160 ishin keqpërdorime. “Në vazhdën e këtyre kontrolleve, përgjatë muajit maj, ekipet e KEDS-it kanë realizuar afër 8000 kontrolle te konsumatorët për të cilët dyshohej se po e keqpërdornin energjinë elektrike. Prej tyre afër 600 u vërtetua se po e anashkalonin matjen e saktë të energjisë elektrike”.

Ekipet e kontrollit në KEDS do të vazhdojnë të implementojnë kontrollet në tërë Kosovën në baza ditore me qëllim të minimizimit të humbjeve në rrjet.

“Keqpërdorimi i energjisë elektrike është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Rastet e tilla, ekipet e KEDS-it do t’i parashtrojnë për procedura të mëtutjeshme gjyqësore”, thuhet në komunikatën e KEDS./21Media

Back to top button