Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

Herë në seancë të mbyllur, herë në private dhe e përcjellur me redaktime, është duke u dhënë dëshmia e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Pas përfundimit të intervistimit nga ana e Prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Avokati Albert Moskowitz e ka ballafaquar atë me një deklaratë të një personi(i koduar me numrin 3.

Derisa dëshmitari po fliste për një rast që bashkë me “numrin 3” e kishin parë një veturë në një anë të rrugës e cila sipas tij ishte e tipit Golf 3, mbrojtja e Thaçit e kujtoi një deklaratë të “numrit 3” dhënë për UNMIK-un, i cili kishte deklaruar se vetura ishte Fiat.

Dëshmitari ka thënë se nuk kujtohet se deri tek vetura tjetër a e shoqëroi “numri 3” apo jo.

Por sipas tij, ai ka folur me “numrin 4”, derisa u shpreh se “numrin 5” i cili sipas tij ndodhej në veturë nuk e kishte njohur atë kohë.

Sipas dëshmitarit, vetura që kishte parë ishte Golf3.

Pas këtij diskutimi, avokati Albert Moskowitz ka thënë se “numri 3” i kishte thënë UNMIK-ut se vetura që e kishin parë nuk ishte e parkuar në rrugën që ishin duke lëvizur, dhe se e njëjta ishte e tipit Fiat.

“Numri 3 u tha autoriteteve të UNMIK në një deklaratë të nënshkruar …..Thotë që vetura që ti pe në rrugë në anë të rrugës nuk ishte e parkuar, ishte duke ecur ishte në lëvizje, se ajo veturë ishte Fiat dhe jo Golf dhe se numri 3 erdhi me ty tek vetura që kishte mundësi të shikonte numrin 4 dhe se ai e përshkruan numrin 4 ishte i veshur jo me të zeza po me tesha kamuflazh”, ka thënë ai.

E pas kësaj pyetje nga mbrojtja e Thaçit seanca ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar dhe më pas e mbyllur për publikun.

Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Back to top button